Qenët e braktisur po pushtojnë rrugët e qytetit të Fierit, duke u kthyer në një rrezik serioz për qytetarët.
Banorët shprehen të frikësuar dhe të pasigurt, pasi kohët e fundit tufa qensh që lëvizin nëpër të gjithë qytetin kanë sulmuar disa persona, duke u shkaktuar dëmtime fizike.
Sipas qytetarëve, tufat e qenve endacakë hasen pothuajse në çdo rrugë, por më problematike situata paraqitet në qendër të qytetit. Në orët e para të mëngjesit dhe në orët e vona të mbrëmjes, qenët shfaqin sjellje më agresive, duke sulmuar edhe kalimtarët.
Veterinerja Luiza Hyka shprehet se numri i qenve të braktisur është rritur ndjeshëm së fundmi, ndërsa agresiviteti i tyre shtohet veçanërisht gjatë periudhës së çiftëzimit. Ajo thekson se përveç traumës dhe dëmtimeve fizike, ekziston edhe rreziku i përhapjes së sëmundjeve, të cilat mund të transmetohen edhe nga një gërvishtje apo kafshim i një qeni të pavaksinuar.
Ndërkohë, burime nga Spitali Rajonal Fier konfirmojnë për Top Channel se gjatë muajit të kaluar janë paraqitur dy raste për ndihmë mjekësore si pasojë e sulmeve nga qenët endacakë, edhe pse ky fenomen, sipas tyre, nuk është trajtuar hapur.
Top Channel