Që prej datës 3 shkurt fati i Ylli Dines, 65 vjeç, mbetet ende i panjohur. Sipas dyshimeve paraprake, ai dyshohet se është rrëmbyer nga rrjedha e lumit Vjosa pasi është rrëzuar në zonën e njohur si “Fusha e fshatit Peshtan”, në bashkinë Tepelenë.
Prej ditës së parë të raportimit të zhdukjes, kërkimet po zhvillohen me intensitet të lartë. Në operacion janë angazhuar polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Forca e Posaçme “Shqiponja”, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e vullnetarë.
Krehja e shtratit të lumit po kryhet nga të dyja anët, në një terren të vështirë dhe me rrjedhë të fortë uji.
Deri në këto momente, pavarësisht angazhimit maksimal të strukturave shtetërore dhe ndihmës së banorëve, Ylli Dine nuk është gjetur.
Familjarët vijojnë apelin për ndihmë dhe kërkojnë që kushdo që mund të ketë informacion, sado të vogël, të kontaktojë autoritetet për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të tij.
Top Channel