Stuhi shkatërrimtare në Gadishullin Iberik, kërkohet shtyrja e zgjedhjeve presidenciale në Portugali

06/02/2026 14:59

Stuhia “Leonardo” ka goditur fuqishëm Portugalinë dhe Spanjën, duke shkaktuar viktima, përmbytje të mëdha dhe evakuime masive.

Deri më tani raportohet për të paktën një viktimë në Portugali, ndërsa një vajzë e mitur rezulton e zhdukur në rajonin e Andaluzisë, në jug të Spanjës.

Reshjet e dendura dhe erërat e forta kanë detyruar autoritetet spanjolle të evakuojnë mbi 7 mijë persona, kryesisht në zonat pranë lumit Guadalquivir, në provincën e Kordobës. Në fshatin malor Grazalema, rreth 1 500 banorë janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e dheut.

Në Portugali, qeveria ka zgjatur gjendjen e emergjencës në 69 bashki deri në mes të shkurtit. Disa lumenj, përfshirë lumin Tagus, janë në nivel alarmi, ndërsa autoritetet paralajmërojnë rrezikun më të madh nga përmbytjet në pothuajse 30 vjet. Në Porto, lumi Douro ka dalë nga shtrati, ndërsa qytete të tëra në jug të vendit mbeten pjesërisht nën ujë.

Situata e rëndë ka ndezur debat politik në Portugali, vetëm dy ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Partia e ekstremit të djathtë “Chega” ka kërkuar shtyrjen e votimit, duke argumentuar se kushtet aktuale cenojnë barazinë e qytetarëve. Megjithatë, autoriteti kombëtar zgjedhor ka bërë të ditur se zgjedhjet do të zhvillohen sipas planit.

Ndërkohë, shërbimet meteorologjike paralajmërojnë se stuhitë do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me reshje të tjera intensive dhe erëra të forta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB