Predikonte fenë e Jehovait te nxënësit e shkollës 9-vjeçare në Tiranë, shkarkohet nga puna mësuesi i anglishtes

06/02/2026 17:55

Pas publikimit nga Top Channel të rastit të mësuesit të anglishtes në shkollën 9-vjeçare “Gustav Majer”, Tiranë, që predikonte te fëmijët fenë e Jehovait, reagon Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë.

Sipas njoftimit publik, mësuesi me vendim të Komisionit të Disiplinës është shkarkuar nga puna.

“Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor.

Bazuar në gjetjet e verifikimit, ndaj mësuesit z. Dritan Zaimi janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi. Konkretisht:

  • Më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës i ka përcjellë rastin Komisionit të Etikës (shkresa nr. 29 prot.), i cili u mblodh në të njëjtën datë.
  • Me shkresën nr. 30 prot., Komisioni i Etikës ka referuar çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës.
  • Më datë 03.02.2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, me votim të fshehtë, vendosi me 7 vota pro masën disiplinore “largim nga puna”.

Në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.

Në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 09.02.2026, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.

Që prej datës 03.02.2026, z. Zaimi nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer”.

Institucionet arsimore mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse”, njofton Drejtoria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB