Një atentat me lëndë eksplozive është parandaluar mbrëmjen e djeshme në fshatin Vrinë, Konispol.

Sipas informacioneve zyrtare, shtetasi Mirash Gjikola, 57 vjeç, ka njoftuar Komisariatin e Policisë Sarandë se, teksa ishte duke lëvizur me automjetin e tij, në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës”, në aksin Shëndëlli–Vrinë, ka dëgjuar zhurma të pazakonta në mjet. Pas ndalimit, ai ka konstatuar praninë e një sasie lënde të dyshuar eksplozive.

Menjëherë drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Policisë, ndërsa më pas janë përfshirë edhe ekspertë të krimeve të rënda nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, si dhe reparti anti-eksploziv i RENEA-s.

Nga të dhënat paraprake mësohet se në automjetin tip “Nissan”,është konstatuar një sasi lënde eksplozive e vendosur në sediljen e pasme të mjetit. Shpërthimi dyshohet se do të aktivizohej me telekomandë.

Ekspertët janë duke punuar për neutralizimin e plotë të lëndës eksplozive, ndërkohë që zona është rrethuar dhe janë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Komisariatin e Policisë Sarandë, referuan materialet në prokurori si dhe shpallën në kërkim për veprat penale “Shkatërrimi i Pronës me eksploziv”, “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në ngarkim të shtetasit D.Gj, 54 vjeç, banues në Lezhë pasi dyshohet se i ka vendosur lëndë plasëse në automjet shtetasit M.Gj, 57 vjeç. Policia vijon punën për gjetjen e tij . Materialet procedurale ju referuan prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm Sarandë“-njofton policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB