‘Lojërat Olimpike të Milano-Cortina 2026 i deklaroj të hapura’-këto ishin fjalët e Presidentit italian Sergio Mattarella në ceremoninë e hapjes së kompeticionit më të rëndësishëm të sporteve dimërore.

Ishte një ceremoni madhështore ajo e zhvilluar në Milano Cortina ku arti italian u ndërthur me historinë dhe traditën, kulturën dhe modën. Ishte një eveniment ku morën pjesë disa prej emrave më të mëdhenj të artit italian dhe ndërkombëtar. Të gjithë e shijuan interpretimin e Mariah Carey në gjuhën italiane të kryeveprës së Domenico Modugno ‘Volare’, ndërkohë që këngëtarja e njohur italiane Laura Pausini mahniti të gjithë me interpretimin e saj të himnit italian. E gjithë kjo nën ndricimin spektakolar të dritave në mitikun San Siro dhe me paradën simbolike dhe spektakolare të modës në homazh të emrave të mëdhenj të modës si Giorgio Armani dhe Valentino.

Pjesa e parë artistike e ceremonisë u pasua me paradën e delegacioneve sportive një paradë që ishte e ndarë në 4 zonë, një paradë ku u valëvit edhe flamuri shqiptar dhe ai i Kosovës me sportistët respektivë, një paradë që vijoi me pjesën tjetër të spektaklit artistik ku në skenë u shfaq edhe aktorja e njohur hollivudiane, Charlise Theron, si ambasadore e paqes, ndërkohë që zeri magjik i Andrea Bocellit i mahniti të gjithë teksa interpretoi të famshmen ‘Nessun Dorma’.

Gjithcka ishte e organizuar në mënyrën më të detajuar dhe më spektakolare me koreografi të ndryshme që tregonin pjesë të historisë deri sa erdhi momenti final, ai i ndezjes së Flakës Olimpike një detyrë që në fund të stafetës e patën dy legjenda të skive alpine italiane Alberto Tomba dhe Debora Compagnoni që vendosën flakën në mangallin olimpik të krijuar në homazh të veprës së pavdekshme të Leonardo Da Vincit dhe më pas shpërthyen fishkezjarrët që shndritën qiellin milanez…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB