“Largojini nga Porto Romano”/ Mbetjet toksike të Kurum, ekspertët e mjedisit: Mbajtja në kontenierë nuk është zgjidhje

06/02/2026 12:29

Një ditë pasi banorët pranë vend-depozitimit të mbetjeve të rrezikshme industriale reaguan duke kërkuar ose largimin e mbetjeve, ose zhvendosjen e tyre nga zona, specialistë të mjedisit konfirmojnë se shqetësimi i tyre është i bazuar, pasi kontenierët mund të dëmtohen dhe janë të ekspozuar ndaj faktorëve atmosferikë.

Analizat laboratorike në Itali provuan se mbetje industriale të kthyera në Shqipëri dhe të depozituara në Porto Romano janë toksike dhe të rrezikshme, me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut dhe mjedis.

Sipas specialistëve, këto mbetje nuk mund të depozitohen apo riciklohen në formën aktuale, por duhet t’i nënshtrohen trajtimit të specializuar, përpara çdo depozitimi përfundimtar, sipas standardeve ndërkombëtare.

Kërkohet një vendimmarrje e shpejtë në lidhje me këto mbetje, si dhe zgjerim të hetimit për të hedhur dritë mbi fatin e tonelatave të tëra mbetjesh të rrezikshme, produkt i një aktiviteti shumëvjeçar të kompanisë Kurum apo dhe veprimtarive të tjera në vend.

Ndërkohë që hetimi penal ka zbuluar një zinxhir shkeljesh dhe ka çuar në kërkimin e masave të sigurimit për 33 persona, mbi 2800 ton mbetje të rrezikshme vazhdojnë të qëndrojnë në Porto Romano, pa një vendim të qartë se ku dhe si do të trajtohen. Për banorët e zonës dhe jo vetëm, kjo nuk është më vetëm një çështje drejtësie, por një kërcënim real për shëndetin, jetën e tyre dhe ekosistemin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB