Dyshohet se ngacmoi një të mitur, procedohet 74-vjeçari në Kuçovë Briani i vogël u vra nga pakujdesia, pas ndërhyrjes dentare. Kjo është akuza me të cilën do të përballen në gjykatë mjeku anestezist Roland Xhaxho, mjekja Ina Xhaxho dhe Marta Gina.
Katër mjekë të tjerë, dy prej të cilëve i përkasin institutit të mjekësisë ligjore, akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa dy të tjerë dyshohen se neglizhuan trajtimin e fëmijës gjatë kohës që prindërit e dërguan në spitalin e fëmijëve.
Në njoftimin zyrtar, prokuroria e Tiranës përmend se mori të pandehur shtatë persona, pas mbylljes së hetimeve gati trevjeçare, të nisura pas ndërrimit të jetës së fëmijës Brian Spahiu.
I mituri ishte dërguar në një klinikë private në Tiranë për ndërhyrje dentare, që u realizua më 28 shtator 2023. Pas kësaj ndërhyrjeje në 14 dhëmbë, Briani u kthye në banesë, por brenda pak orësh, trevjeçari u transportua në gjendje të rënduar shëndetësore në spitalin e pediatrisë, ku dhe ndërroi jetë më 1 tetor.
Gjatë ekspertimeve të shumta të kryera në Itali, prokuroria konkludon se dy stomatologët, përveç dyshimeve se e nxorën të miturin nga klinika në gjendje narkoze, dyshohen se kanë mashtruar prindërit e fëmijës duke u marrë pagesën për 14 dhëmbë të mbushura. Por autopsia tregoi se 6 dhëmbë ishin hapur dhe nuk ishin mbushur. Për këtë arsye, ata akuzohen jo vetëm për vrasje nga pakujdesia, por edhe për mashtrim.
Hetimet e prokurores Alma Fealaj konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore dhe ekspertizës mjekoligjore. Për këtë arsye, konkludohet me akuza edhe ndaj dy mjekëve të këtij institucioni. Ndërkohë, në abuzim me detyrën vlerësohen edhe dy mjekë roje të pediatrisë, në kohën kur Briani i vogël u dërgua në spital. Prokuroria deklaron se mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore për diagnozën dhe trajtimin me terapinë e përshtatshme me antibiotikë.
Top Channel