Përpjekjet për paqe/ Rusia edhe Ukraina nisin ditën e dytë të bisedimeve në Abu Dhabi

05/02/2026 11:37

Negociatorët ukrainas dhe rusë nisën këtë të enjte nisën ditën e dytë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA në Emiratet e Bashkuara Arabe, me synim të ndërprerjes së pushtimit pothuajse katërvjeçar të Moskës ndaj Ukrainës.

“Ka nisur dita e dytë e bisedimeve në Abu Dhabi. Po punojmë në të njëjtat formate si dje, punë në grupe dhe më pas ‘harmonizimi’ i qëndrimeve”, tha negociatori kryesor ukrainas, Rustem Umerov.

Këto bisedime janë kapitulli më i fundit i përpjekjeve diplomatike, deri tani të pasuksesshme, për të ndalur luftën që nisi me ofensivën e plotë të Rusisë në shkurt 2022.

Dita e parë e bisedimeve në kryeqytetin e Emirateve përfundoi të mërkurën, ku Kievi e përshkroi procesin si “produktiv”, megjithëse nuk pati ndonjë përparim të dukshëm.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të mërkurën se 55,000 ushtarë ukrainas kanë humbur jetën. Ndërkohë, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke lënë shumë qytetarë, përfshirë banorët e kryeqytetit Kiev, pa energji elektrike dhe duke përballuar temperatura deri në minus 20°C ditët e fundit.

Kremlini përsëriti kërkesën e tij të fortë që Kievi duhet të dorëzohet, me zëdhënësin Dmitry Peskov që deklaroi se luftimet do të vazhdojnë “deri sa regjimi i Kievit të marrë vendimet e duhura”.

Çështja kryesore e bisedimeve mbetet e ardhmja afatgjatë e territoreve në lindje të Ukrainës. Moska kërkon që Kievi të tërheqë trupat nga pjesë të Donbasit, përfshirë qytete të fortifikuara dhe me burime natyrore të pasura, si kusht paraprak për çdo marrëveshje.

Ajo gjithashtu kërkon njohjen ndërkombëtare që tokat e pushtuara i takojnë Rusisë. Kievi ka deklaruar se konflikti duhet të “ngrihet në vijën aktuale të frontit” dhe ka refuzuar të tërheqë trupat.

Bisedimet trilaterale, të cilat u zhvilluan për herë të parë më 23 dhe 24 janar në Abu Dhabi, janë shenja më publike e përparimit deri tani në përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për të negociuar një fund të luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB