Teksa afron dita e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, në dritë del edhe vlera e fitoreve në këtë kompeticion. Por sa vlen një medalje olimpike?

Sipas asaj që publikon e përditshmja ‘Il Mattino’ që gjurmoi një bilanc të kostove të medaljeve, fitorja e një medalje të artë mund të të sjellë përfitim deri në 1 milion euro, por jo gjithmonë është kështu. Në fakt Komiteti Olimpik Ndërkombëtar  nuk jep asnjë kompensim financiar; do të jenë vetë vendet ato që do të paguajnë dhe që ofrojnë shifra të ndryshme.

Në Milano Cortina 2026 do të jenë 116 tituj në lojë, numri më i lartë në historinë e Olimpikeve. Shteti që ofron shifrën më të lartë për fitoren e një medalje të artë është Singapori, që jep 1 milion euro, por shanset e këtij vendi për një triumf të tillë janë shumë të pakta pasi Singapori përfaqësohet nga vetëm 1 sportist. Mes vendeve më bujare është edhe Hong Kong që është gati të shpërblejë me 640 mijë euro sportistët për medaljen e artë, 320 mijë për argjendin dhe 160 mijë për bronzin. Në Evropën Perëndimore, mes kombeve më të pasura janë Franca dhe Gjermania, ndërsa Norvegjia, Suedia dhe Britania nuk parashikojnë shpërblime në lidhje me medaljet

Mes vendeve evropiane, Italia është ajo që jep shifrën më të lartë si shpërblim për një medalje. Në total do të jenë 196 sportistë që do të garojnë për Italinë dhe Komitetit Olimpik Italian do të shpërblejë më 180 mijë euro medaljen e artë, 90 mijë medaljen e argjendtë dhe 60 mijë euro për medaljen e bronztë. Kurioz është rasti i SHBA; përveç shpërblimit tradicional(37500 dollarë për medaljen e artë), çdo sportist do të përfitojë edhe 200 mijë dollarë të tjerë falë një donacioni privat të Ross Stevens.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB