Kremlini mohon lidhjet e Epstein me shërbimet ruse: Do talleshim me këto deklarata, por s’kemi kohë

05/02/2026 12:46

Kremlini ka hedhur poshtë të enjten pretendimet se financieri pedofil Jeffrey Epstein, mund të ketë qenë pjesë e shërbimeve ruse të inteligjencës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska nuk ka ndërmend të humbasë kohë duke iu përgjigjur deklaratave të pavërteta.

I pyetur nga agjencia Reuters lidhur me komentet e kryeministrit polak Donald Tusk dhe raportimet e mediave perëndimore, Peskov u shpreh: “Do të doja të bëja shaka me këto deklarata, por le të mos humbasim kohë.”

Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi të martën se Varshava do të nisë një hetim për lidhje të mundshme mes Epstein dhe shërbimeve ruse të inteligjencës, si dhe për çdo ndikim të mundshëm që këto lidhje mund të kenë pasur ndaj Polonisë. Megjithatë, Tusk nuk paraqiti prova për këto pretendime.

Ditët e fundit, disa media perëndimore kanë ngritur pikëpyetje nëse Epstein kishte vepruar si agjent rus, duke mbledhur materiale komprometuese për persona të pasur dhe me pushtet. Zyrtarët rusë i kanë cilësuar këto pretendime si një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga skandali, i cili sipas tyre ka nxjerrë në pah hipokrizinë e figurave të fuqishme në SHBA dhe Evropë.

Në dokumentet lidhur me Epstein, të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, Rusia përmendet mijëra herë. Ato tregojnë gjithashtu se disa nga gratë e reja me të cilat Epstein kishte kontakte ishin nga Rusia, përfshirë një grua 26-vjeçare që ai kishte tentuar t’ia prezantonte Andrew Mountbatten-Windsor, vëllait më të vogël të Mbretit Charles të Britanisë.

Ndërkohë, media të ndryshme kanë spekuluar se Epstein mund të ketë bashkëpunuar edhe me shërbime të tjera inteligjence, përfshirë Mossad-in izraelit ose CIA-n amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB