Dëgjoni kush flet, Eden Hazard: Iu pëlqeja Morattit dhe Gallianit, por ëndërroja Realin e Madridit…

05/02/2026 15:48

Nga raportet me Maurizio Sarrin tek ata me Conten dhe Mourinho, Eden Hazard është rishfaqur teksa udhëtoi drejt Italisë për të prezantuar linjën e tij të verërave duke dhënë edhe një intervistë për të përditshmen ‘La Gazzetta Dello Sport’ duke rrëfyer shumë të pathëna të karrierës së tij.

Më në fund Hazard. A keni qenë ndonjëherë pranë transferimit në Serie A?

‘Të thëm të vërtetën…jo. Moratti më bënte shumë komplimenta, por unë gjithnjë kam ëndërruar të luaj në Premier League dhe me Realin e Madridit dhe për fat të mirë ia dola. Por ju zbuloj një sekret; kur isha fëmijë isha tifoz i Milanit dhe pak orë më parë njoha Gallianin. Më tha se më shihte te Milani i Berlusconit, por edhe ata nuk bënë kurrë ndonjë ofertë konkrete’

Në një mënyrë apo tjetrën, Italia erdhi te ty. Si janë verërat e Hazard?

‘Elegantë, si unë. E njoha Fabion nëpërmjet një miku të përbashkët. Më dërgoi disa shishe dhe kështu lindi ideja për të punuar së bashku, kemi prodhuar një verë të kuqe, rose’ dhe të bardhë. Vera e kuqe është e preferuara ime, ndërsa bashkëshortja ime zgjedh të bardhën’.

Meqë ra fjala te vera; në kohët e Chelsea, Sarri ju sugjeronte që të frymëzoheshe nga stili i jetesës së Cristiano Ronaldos

‘Po, por unë i përgjigjesha se nuk doja. Nuk e kam ekzagjeruar kurrë, por gjithnjë kam dashur të jem Hazard brenda dhe jashtë fushe. Nëse miqtë e mi më ftonin për darkë, nuk tërhiqesha, nëse kisha dëshirë të pija ndonjë gotë, nuk e privoja veten. Cristiano është Cristiano, unë jam Hazard. Doja vetëm të isha vetja ime dhe të luaja futboll’.

Nga Sarri te Ancelotti, në karrierën tënde ke pasur disa trajnerë italianë

‘Është e vërtetë, me ta kam fituar shumë. Mes meje dhe Sarrit u krijua një raport special, besoj se ideja e tij për futbollin është shumë pranë times. Por ndonjëherë i thoja se stërvitjet e tij ishin të mërzitshme. Nuk është një kritikë edhe sepse rezultatet i japin të drejtë si Contes. Antonio ishte i pabesueshëm, na bëntë përsëritje pafund’

Kush është më i miri me të cilin ke punuar?

‘Nuk është italian, por e njihni mirë; Mourinho, një komunikues i jashtëzakonshëm. Mënyra si arsyeton dhe i transmeton mendimet e tij te futbollistët është e mrekullueshme’

Kthehemi te Conte; tani ai stërvit miqtë dhe bashkëkombasit e tu, Lukaku dhe De Bruyne

‘Dikur shikoja më shumë Serie A, nuk doja të humbisja manovrat e Mertens dhe Nainggolan. Tani e shoh më pak, por jam kurioz të shoh sërish Kevin pasi të rikthehet në fushë nga dëmtimi. Me Conten mund të argëtohen, pornë 5 vitet e fundit Interi ka treguar se është skuadra më e fortë në Itali

Janë zikaltrit favoritë për titullin?

‘Po, edhe pse nga një moment në tjetrin gjërat mund të ndryshojnë. Juventus po e rimerr veten, Napoli ka kualitete. Por Chivu mund të bëjë mirë edhe në Champions League. Nuk është rastësi arritja në finalen e këtij kompeticioni në 3 vjet. Drejtuesit janë kompetentë, futbollistët të fortë dhe publiku në San Siro bën diferencën’

Mes ish futbollistëve qe kanë luajtur më shumë ndeshje bashkë me ju është një trajner i ri që aktualisht po mahnit në Serie A. Çfarë mendon për Fabregas?

‘Do të jem i sinqertë. Në verë folam pak. I thashë se ka qenë një prej mesfushorëve më të mirë në histori dhe se është i destinuar të bëhet edhe një prej trajnerëve më të mirë. I shpjegova se për të ka ardhur koha të kthehet te Chelsea dhe ai bëri shaka, por unë e mendoj me të vërtetë. E do futbollin, di gjithçka nga ky sport. Unë jam tifoz i Chelsea dhe dua më të mirën për këtë klub; për këtë arsye ëndërroj të shoh Cesc në pankinë, ndërkohë që unë jam në tribunë për të shijuar spektaklin’.

A ka  ndonjë futbollist të Serie A që do të doje të shihje te Chelsea ‘yt’?

‘Fëmijët e mi çmenden pas Yildiz, shohin shumë video me manovrat e tij dhe shpresojnë ta shohin në Premier League. Por mua më duket se është më shumë një futbollist tipik për Realin e Madridit

E mbyllim me ca kujtime; cilat janë momentet më të bukura të karrierës tënde?

‘Vendi i tretë në Botërorin 2018 me Belgjikën ishte një sukses i madh, unë isha në formën më të mirë. Kombëtarja jonë është e vogëk dhe e përjetoi atë rezultat si diçka të jashtëzakonshme. Mbaj në zemër edhe ndeshjen time të parë me Chelsea, ashtu si gjithçka kam jetuar me Realin e Madridit. Në Spanjë isha i pafat, por të luaja në Bernabeu ishte ëndrra ime që fëmijë’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB