Dy lëkundje të forta tërmeti në Korçë, reagon Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile
Atletja algjeriane, kampione olimpike në Paris, ka qenë në qendër të akuzave dhe polemikave për muaj të tërë, dhe tani mbron veten: “Unë iu nënshtrova një trajtimi për të ulur nivelet e testosteronit në zero. Por mos e shtrembëroni të vërtetën, unë u rrita si vajzë.”
Kampionia olimpike e boksit, Imane Khelif, zbuloi se iu nënshtrua terapisë hormonale për të ulur nivelet e testosteronit përpara Lojërave Olimpike të vitit 2024, ndërsa përsëriti se nuk është “trans”. “Unë kam hormone femërore. Dhe njerëzit nuk e dinë këtë, por unë iu nënshtrova terapisë hormonale për të ulur nivelet e testosteronit për garat”, tha 26-vjeçarja algjeriane, e cila u përball me italianen Angela Carini në Paris, në një intervistë me L’Equipe.
Duke konfirmuar se mbart gjenin SRY, të vendosur në kromozomin Y, i cili tregon maskulinitet, Khelif shpjegoi se ajo është “e rrethuar nga mjekë dhe një profesor që po më monitoron (…) Për turneun kualifikues për Lojërat e Parisit, që u zhvilluan në Dakar, i ula nivelet e testosteronit në zero. Dhe pastaj fitova medaljen e artë (në kategorinë 66 kg, duke mposhtur gjithashtu italianin Carini)”, kujtoi boksierja, e cila më vonë e gjeti veten në qendër të një fushate dezinformimi që e portretizoi atë si një “burrë që lufton kundër grave”. Ashtu si tajvanezi Lin Yu-ting, gjithashtu një fituese e medaljes së artë në kategorinë -57 kg në Lojërat e Parisit, Khelif është akuzuar si atlete transgjinore nga disa figura të shquara, përfshirë Donald Trump, Elon Musk dhe autoren britanike J.K. Rowling. “Unë i respektoj të gjithë dhe e respektoj Trumpin. Sepse ai është Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Por ai nuk mund ta shtrembërojë të vërtetën. Unë nuk jam transgjinore, jam vajzë. Jam rritur si vajzë, njerëzit në fshatin tim më kanë njohur gjithmonë si vajzë”, këmbënguli Imane Khelif. Boksierja, qëllimi i së cilës është të garojë në Lojërat Olimpike të Los Angeles 2028, e di se do të duhet të japë pëlqimin për një test gjenetik të mandatuar nga World Boxing, një organizatë e njohur nga IOC, dhe tha se është gati. “Për Lojërat e ardhshme, nëse duhet të bëj një test, do ta bëj. Nuk kam problem. E kam bërë tashmë këtë test. Kontaktova World Boxing, u dërgova të dhënat e mia mjekësore, testet e mia hormonale, gjithçka. Por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Nuk po fsheh asgjë, nuk po i refuzoj testet”, përsëriti ajo.
Top Channel