Bankomatet me kurse këmbimi transparente/ Rregulla të reja për tarifat bankare, klientët do të informohen për çdo komision

05/02/2026 12:42

Bankat dhe operatorët që ofrojnë shërbime në bankomate dhe në pikat e shitjes do të duhet të tregohen më të kujdesshëm dhe më transparentë ndaj klientëve, për kostot reale të këmbimit të monedhave.

Me ndryshimet e reja rregullatore të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, përdoruesit e kartave do të informohen qartë për tarifat, kursin e aplikuar dhe përqindjen shtesë mbi kursin zyrtar, përpara se të kryejnë çdo tërheqje apo pagesë.

“Siç përcaktohet në nenin 52, pika 2 të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, lidhur me kërkesat e informacionit mbi tarifat e këmbimit të monedhës dhe kursin e zbatueshëm të këmbimit, duhet të shprehin një vlerë në përqindje që tregon, sa ndryshon kursi i aplikuar mbi kursin e këmbimit më të fundit të disponueshëm. Kjo përqindje duhet t’i njoftohet paguesit para inicimit të transaksionit të pagesës”, thotë Banka e Shqipërisë.

Sipas rregullave të reja, klientët do të informohen gjithashtu, përpara pagesës ose tërheqjes, për shumën që do të debitohet nga llogaria e tyre dhe për shumën që do të përfitojë marrësi, në monedhën përkatëse. Ky informacion duhet të shfaqet qartë në ekranin e bankomatit ose në pajisjen POS.

Banka e Shqipërisë thotë: “Çdo palë që ofron shërbimin e këmbimit të monedhës duhet të sigurojë paguesit informacion të plotë për shumën që do të paguhet dhe shumën që do të përfitohet, përpara inicimit të transaksionit”.

Ndryshimet synojnë të adresojnë ankesat e shumta për kostot e larta, veçanërisht për tërheqjet cash nga kartat e huaja, një problem i raportuar shpesh nga turistët dhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Edhe Autoriteti i Konkurrencës ka rekomanduar më herët rishikimin e metodologjisë së komisioneve në bankomate.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB