2025 u shoqërua me rritje çmimesh dhe më shumë presion mbi buxhetin familjar, por shqiptarët nuk hoqën dorë nga zakoni i vjetër të kursejnë.
Plot 1.5 miliardë euro kanë kursyer qytetarët shqiptarë vetëm në vitin që lamë pas. Kursimet në lekë janë ato që mbizotërojnë më së shumti me 810 mln euro.
Ndërsa më pak para janë depozituar për t’u kursyer në euro, si pasojë edhe e luhatjeve si dhe dobësimit të saj në tregun vendas, duke arritur kështu në 702 mln euro.
Një ecuri e tillë e kursimit në të gjitha valutat ka bërë që qytetarët në depozitat e tyre bankare deri në 2025 të kenë plot 1.43 trilion lekë.
Po nëse ndalemi sipas qyteteve, kush nga qytetarët kursen më shumë? Në të dhënat që Banka e Shqipërisë na bën të ditur, rezulton se këto para të depozituara vijnë edhe nga qytetet ku popullsia është edhe më e përqendruar.
Konkretisht, tiranasit kanë kursyer në 2025 plot 770 mln euro, pasuar nga durrsakët me 108 mln euro. Pasuar nga vlora me 87 mln euro dhe në vijim fieri e korça. Më pak para kursejnë dibranët e kuksianët.
Nga ana tjetër, qytetarët nuk kanë lënë pas as huamarrjen. Kredia e re për ekonominë arriti në 436 mld lekë, duke u rritur me 15% në 2025.
Në veçanti, muaji dhjetor 2025 shënoi një shifër rekord të kredisë prej 62.3 miliardë lekësh, duke përfaqësuar njëkohësisht një vlerë rekord të vlerës mujore të kredisë së re. Ndalur sipas segmenteve, kreditimi u rrit me ritme më të larta tek individët.
Gjithsej në 2025 individët morën rreth 127 mld lekë kredi, ndërsa bizneset 296 mld lekë. Tendencë kjo në rritje nga viti në vit.
Top Channel