Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke konstatuar se zgjedhja e Nenad Rashiçit në këtë post më 10 tetor 2025 ka qenë antikushtetuese.

Sipas aktgjykimit, Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë qartë se nënkryetari nga komuniteti serb duhet të propozohet nga shumica e deputetëve që përfaqësojnë këtë komunitet, në këtë rast Lista Serbe, si subjekti me shumicën parlamentare të deputetëve serbë.

“Gjykata thekson se një vlerësim i tillë bazohet mbi parimet e përcaktuara në Kushtetutë, praktikën e saj gjyqësore dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në aktgjykim, ku saktësohet se:

-njëri nga dy nënkryetarët që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë duhet të jetë nga komuniteti serb;

-propozimi bëhet me shkrim nga shumica e deputetëve të atij komuniteti;

-zgjedhja bëhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, pra 61 vota.

Gjykata ka sqaruar gjithashtu se Lista Serbe ka të drejtë të propozojë kandidatin për nënkryetar edhe në mënyrë të përsëritur, edhe nëse kandidati nuk i merr votat e nevojshme në tri raunde votimi, për sa kohë nuk ka përfunduar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

Në aktgjykim theksohet se Kushtetuta dhe Rregullorja nuk bëjnë dallim mes deputetëve serbë mbi bazë partiake apo ideologjike, por i trajtojnë ata si një grup të vetëm përfaqësues të komunitetit serb. Votimi për të njëjtin kandidat mund të bëhet deri në tri herë, ndërsa procedura mund të rifillojë vetëm nëse konsumohen të gjithë kandidatët e propozuar nga komuniteti përkatës dhe afati kushtetues nuk ka përfunduar.

Gjykata Kushtetuese ka sqaruar edhe përdorimin e mekanizmit debllokues të shortit, i cili u përdor për zgjedhjen e Rashiqit, duke vlerësuar se ai është aktivizuar në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas saj, shorti mund të përdoret vetëm në rrethana përjashtimore, kur shumica e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë nuk propozon kandidatë sipas procedurës së rregullt.

Në fund, Kushtetuesja u bën thirrje grupeve parlamentare që kanë të drejtë propozimi të veprojnë në frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit për të siguruar votat e nevojshme, ndërsa shumicës i kërkon të garantojë përfaqësim efektiv të komuniteteve jo-shumicë në institucionet shtetërore.

Nenad Rashiç u zgjodh nënkryetar i Kuvendit në tetor 2025, pasi kandidatët e Listës Serbe nuk arritën të merrnin votat e mjaftueshme. Përmes shortit, kryetari i Kuvendit Dimal Basha e hodhi në votim Rashiqin, i cili u mbështet nga Lëvizja Vetëvendosje. Zgjedhja e tij u kontestua nga Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese, e cila tani e ka shpallur atë antikushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB