Nga viti në vit, sipërmarrja në Shqipëri po kthehet gjithnjë e më shumë në një zgjedhje karriere për shumë qytetarë. Numri i bizneseve të reja po rritet, por një tjetër trend po bie në sy: sipërmarrësit po i drejtohen gjithnjë e më pak bankave për kredi për hapjen e biznesit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2025 huamarrja për hapje biznesi, deri në muajin nëntor, në monedhën vendase arriti rreth 62.6 miliardë lekë, nga 80.6 miliardë lekë në vitin 2024, një nivel që tregon një qasje më të kujdesshme ndaj kreditimit. E njëjta ecuri paraqitet edhe për kreditë në euro.
“Treguesit flasin në kontradiktë: nga njëra anë kemi shtim të bizneseve të reja, nga ana tjetër kemi ulje të huamarrjes. Kjo tregon se këto biznese hapen si biznese të reja pa pasur nevojë për kapital, sepse kemi të bëjmë me një tregues të forcimit të kalimit drejt ligjshmërisë të atyre bizneseve që kanë funksionuar më parë pa qenë të regjistruara, ose biznese të krijuara për të shpërndarë xhiron e aktivitetit dhe për t’iu shmangur detyrimeve tatimore”, u shpreh eksperti bankar Artur Ribaj.
Më pak hua bankare, por më shumë biznese të reja të vetëfinancuara. Regjistrimet e bizneseve të reja shënuan një rritje të ndjeshme në vitin 2025, me 20,765 subjekte të reja, nga 17,500 në vitin 2024 dhe 16,853 në vitin 2023.
Shpërndarja gjeografike tregon se Tirana vijon të mbajë peshën kryesore me 11,175 biznese të reja, e ndjekur nga Durrësi (2,185), Vlora (1,913), Fieri (1,173), Elbasani (873) dhe Shkodra (849). Regjistrime të konsiderueshme janë shënuar gjithashtu në Lezhë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Dibër dhe Kukës.
“Nëse do të flisnim për mbështetjen e start-up-eve për të rinjtë që sjellin ide inovative, do të kishim tregues tjetër dhe rritje të kreditimit për këto subjekte. Për më tepër që ekziston edhe një fond në dispozicion, i vendosur nga Banka e Shqipërisë, për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe ato mikro, përmes bankave tregtare në vend”, u shpreh Artur Ribaj.
Ndërsa bëjnë apel për një shtim të kontrolleve tatimore, ekspertët mbështesin gjithashtu zgjerimin e huadhënies edhe në sektorët e lënë pas dore. Sipas tyre, bankat duhet të jenë më gjithëpërfshirëse, duke zgjeruar kreditimin drejt sa më shumë sektorëve të ekonomisë, me synimin për të mbështetur më gjerësisht sipërmarrjen dhe për t’i dhënë më shumë frymëmarrje bizneseve të reja në vend.
Top Channel