“Po rijetojmë makthin”/ Mbyllen sërish mijëra dosje të Epstein, u identifikuan mbi 100 viktima

04/02/2026 12:39

Departamenti amerikan i Drejtësisë hoqi nga faqja e tij zyrtare mijëra dokumente që lidhen me Jeffrey Epsteinin, pasi viktimat deklaruan se identitetet e tyre ishin komprometuar.

Avokatët e viktimave të financierit pedofil thanë se redaktimet jo të duhura në dosjet e publikuara të premten kishin “kthyer përmbys jetën” e pothuajse 100 viktimave të tij. Në materialet e publikuara ishin përfshirë adresa emaili dhe fotografi kompromentuese, në të cilat mund të identifikoheshin emrat dhe fytyrat e tyre.

Viktimat në fjalë dolën me një deklaratë ku e cilësuan publikimin si “të turpshëm” dhe thanë se nuk duhet të “emërtohen, të analizohen dhe të ritraumatizohen”.

“Po rijetojmë makthin”, ishte mesazhi i tyre. Departamenti deklaroi se i ka hequr tashmë të gjitha dokumentet e sinjalizuara dhe se ngërci ishte krijuar si pasojë e “gabimeve teknike ose njerëzore”.

“Të gjitha dokumentet që viktimat ose përfaqësuesit e tyre ligjorë kanë kërkuar të hiqen deri mbrëmë janë hequr për redaktim të mëtejshëm”, thanë drejtues të Departamentit, që shtuan se po shqyrtohen në vijim kërkesa të reja e po verifikohet nëse ojë nëse ka dokumente të tjera që kërkojnë redaktim shtesë. Gjithashtu, u bë e ditur se një “numër i konsiderueshëm” dokumentesh, të identifikuara në mënyrë të pavarur, janë hequr nga publikimi.

Sipas kushteve të publikimit, i cili u kthye në detyrim pasi të dyja dhomat e Kongresit miratuan një masë që e obligonte Departamentin e Drejtësisë të tregonte dokumentet, qeveria federale ishte e detyruar të redaktonte çdo informacion që mund të identifikonte viktimat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB