Gjykata shpalli fajtor Ilir Beqarajn, duke e dënuar me 24 vite burgim për vrasjen e ish-policit Gentian Bejtja, ndaj të cilit ishin realizuar edhe dy atentate të tjera, por që kishin dështuar.

Beqaraj nuk konsiderohet si qitës në krimin e dy viteve më parë, por si njëri nga ndihmësit që larguan nga vendngjarja vrasësit.

Vendimi u dha nga tre gjyqtare, të kryesuara nga Ëngjëllushe Tahiri, e cila e deklaroi Beqarajn fajtor edhe për dy akuza të tjera të falsifikimit të dokumentave dhe armëmbajtjes. Më herët, Ridvan Suka, prokurori që po heton edhe Flodian Plakun, arrestuar pas atentatit, kërkoi 23 vite burgim, duke shtuar se motivet e vrasjes janë ende nën hetim në çështjen tjetër të ndarë.

I akuzuari Ilir Beqaraj gjatë procesit në gjykatën penale të Tiranës nuk i ka pranuar akuzat dhe kërkoi pafajësi, ndërsa vendimin e fajësisë e priti në heshtje. Gentian Bejtja përmendej në dosjet e Sky ECC, teksa bisedonte sipas SPAK me Arben Ndokën, ende në kërkim, duke folur për vëllezërit Durim dhe Valter Bami.

Por për egzekutimin me 71 plumba të ish-policit Bejtja, i dyshuar si i implikuar në ngjarje kriminale, prokuroria e Tiranës këmbëngul se disponon prova mes tyre, edhe rrëfimin e një dëshmitari okular. Ai tregon se pa tre persona të maskuar që u larguan nga skena e krimit me një makinë tip Golf, tagrat e të cilës u zbardhën nga kamerat e sigurisë.

Itinerari që ndoqën më pas dy nga dyshuarit, Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj, është udhëtimi drejt një zone rezidenciale në Tiranë. Për të dyshuarin e dytë, Haxhiu, gjykata ka hequr masën e arrestit më herët, ndërkohë që ndaj Flodian Plakut, arrestuar vetëm në vitin 2025, nuk janë mbyllur ende hetimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB