Inside Story/ Zbulimi i metaleve të rënda në bukë, vakumi ligjor dhe standarde BE, çfarë analizash kryejnë autoritetet?
Çmimi i bukës vitet e fundit është rritur, pesha ka ndryshuar, ndërsa cilësia mbetet shpesh e diskutueshme. Konsumatori përballet çdo ditë me produkte që duken të njëjta, por që ndryshojnë ndjeshëm në përbërje dhe vlera ushqyese. Megjithatë, informacioni që i ofrohet publikut është i kufizuar, ndërsa transparenca në zinxhirin e prodhimit mbetet problematike.
‘Me kalim e kohës në kemi parë si konsumatorë që vit pas viti është rritur çmimi i bukës, por kjo nuk është shoqëruar me rritjen e cilësisë së saj’, u shpreh Ana Vuksani, Pedagoge UBT.
‘Shikojmë vitet e fundit është rritur 30-40% çmimi i bukës, kur çmimi i miellit nuk ka qenë në ato vlera por edhe po të rritje çmimi i miellit përsëri çmimi i bukë nuk do të duhej të rritje aaq, edhe aty ka abuzime në peshën që behet. Kontrollohet vetëm ajo buka standarde po bukët e tjera, ato janë të lirë jashtë këtij kontrolli’, u shpreh Sokol Abazi, kimist.
Përmes analizës së dokumenteve zyrtare dhe përballjes së tyre me realitetin në terren, ky investigim vë në dukje boshllëqet mes ligjit dhe zbatimit të tij.
‘Buka është një nga produktet më masive të konsumueshme. Të paktën në Shqipëri, të gjithë jemi konsumatorë të bukës dhe autoritet përgjegjëse duhet të ishin me të kujdesshme për garantimin e produktiti i cili shitet më masivisht sesa produktet e tjera’, u shpreh Ana Vuksani, Pedagoge UBT.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ushtron kontrolle të vazhdueshme në furrat e bukës. Zyrtarisht ky institucion i tha “InsideStory” se gjatë 5 viteve të fundit, janë kryer 7547 inspektime në total në subjektet me veprimtari specifike: Njësi prodhimi e tregtimi buke. Nëlaboratorë janë analizuar 3194 mostra për përcaktimin e lagështirës, aciditetit, porozitetit dhe klorurit të natriumit.
AKU: Në laboratorin e ISUV-se nga viti 2021 deri në 2025 janë analizuar 26 mostra bukë për ngjyrues. Nga Drejtoritë Rajonale të AKU-së nga viti 2021 deri në 2025 janë marrë 1722 masa administrative paralajmërime, 58 masa administrative gjobë,13 raste bllokim produkti, 1 rast asgjësimi produkti dhe 8 raste ndërprerje aktiviteti.
Siç vërehet nga këto rezultate të veprimtarisë së AKU, nuk kanë munguar shkeljet nga prodhuesit e bukës. Por, ajo që kuptohet mes rreshtave është fakti se gama e analizave është e ngushtë. Thuajse nuk ka raportime për ndotje të bukës nga metalet e rënda të cilat përbëjnë rrezik. Por, për këtë, do të flasim pak më poshtë. Mielli, si element kryesor në prodhimin e bukës ka nevojë për garanci.
AKU: Në këtë aspekt një sistem efektiv i kontrollit kufitar kërkon që të gjitha dërgesat që importohen në Shqipëri duhet të kenë bërë kontrollin e dokumentacionit, të identitetit dhe fizik nën përgjegjësinë e inspektorit te Pikat e Inspektimit Kufitar përpara se të lirohet për qarkullim të lirë.
‘Mielli që vjen në pikat e kalimit kufitar duhet ta ketë të shënuar përse do të përdoret. Shumë nga kompanitë abuzojnë sepse miellin që sjellin në fakt për kadaif që ka 7% apo 8% proteina bëhet bukë’, u shpreh Ana Vuksani, pedagoge UBT.
Sëmundja e patates ështënjë tjetër pikë ku konsumatori duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Kjo sëmundje tek buka ndodh për shkak të temperaturave të larta në verë por edhe nga përdorimi i miellit me ngarkesë bakteriale. Ky fenomen është konstatuar edhe nga AKU por publikisht thuajse nuk njihet si problematikë.
AKU: Sipas specialistëve, buka me sëmundjen e patates, duket e rregullt në pamje të parë, pasi korja e saj të jep përshtypjen e një prodhimi normal, por në të vërtetë, buka e infektuar është e qullët në brendësi. Nëse tulin e saj e kapim me duar, ajo ngjitet pas gishtërinjve. Një bukë e infektuar nga sëmundja e patates dallohet edhe nga ngjyra e saj, pasi një bukë e tillë ka ngjyrë të verdhë në kafe dhe veç kësaj ka aromën e pjeprit.
Top Channel