Droni iranian u rrëzua pranë aeroplanmbajtëses amerikane, reagon Trump: Po negociojmë me Teheranin

04/02/2026 07:15

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA-të janë aktualisht në negociata me Iranin.

“Po negociojmë me Iranin tani”, u shpreh Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale, menjëherë pas nënshkrimit të projektligjit të buxhetit që i dha fund mbylljes së qeverisë federale.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur autoritetet iraniane kanë sinjalizuar gatishmëri për dialog. Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka bërë thirrje për hapjen e negociatave lidhur me çështjen bërthamore, duke sugjeruar një qasje më të hapur diplomatike mes dy vendeve.

Incident ushtarak në Detin Arabik

Ndërkohë, tensionet në terren mbeten të larta. Në orët e para të mëngjesit të së martës, më 3 shkurt, një avion luftarak amerikan rrëzoi një dron iranian në Detin Arabik, pasi ai iu afrua “në mënyrë agresive” një aeroplanmbajtëseje amerikane.

Sipas ushtrisë amerikane, incidenti ndodhi ndërsa aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln po lundronte në Detin Arabik, rreth 800 kilometra larg bregdetit jugor të Iranit.

Detajet e incidentit

Zëdhënësi i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), kapiten Tim Hawkins, deklaroi se një dron iranian i tipit Shahed-139 manovroi drejt anijes, duke injoruar masat e deeskalimit të ndërmarra nga forcat amerikane që operonin në ujëra ndërkombëtare.

“Droni vazhdoi të fluturonte drejt anijes pavarësisht paralajmërimeve. Një avion luftarak F-35C u detyrua ta qëllonte atë në vetëmbrojtje, për të garantuar sigurinë e anijes dhe ekuipazhit”, tha Hawkins.

Ai shtoi se asnjë anëtar i forcave amerikane nuk u lëndua dhe nuk u raportua asnjë dëm material.

Reagimi i CENTCOM-it

“Forcat e CENTCOM-it veprojnë me nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe janë të përkushtuara për sigurinë e personelit, anijeve dhe avionëve amerikanë në Lindjen e Mesme. Ngacmimet dhe kërcënimet e vazhdueshme iraniane në ujërat dhe hapësirën ajrore ndërkombëtare nuk do të tolerohen,” deklaroi Hawkins.

Sipas tij, veprimet agresive të Iranit pranë forcave amerikane, partnerëve rajonalë dhe anijeve tregtare rrisin rrezikun e përplasjeve, keqllogaritjeve dhe destabilizimit të mëtejshëm të rajonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB