Mashtrimet online/ “Piratët” përdorin emrin e postës shqiptare, ekspertët: Mos klikoni mesazhet e dyshimta Në kuadër të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, përgjatë 9 viteve janë punësuar në administratën publike rreth 1,600 të rinj të moshës 21–29 vjeç.
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinjtë pjesëmarrës, e cilësoi këtë program si një mundësi reale për më të mirët që të ndërtojnë një perspektivë si punonjës të rinj të shtetit.
“Unë jam bërë realisht një besimtar i fortë i këtij programi dhe kini parasysh që ai ka punësuar në mënyrë përfundimtare në administratën e shtetit rreth 1,600 persona. Kjo praktikë ka qenë një urë e ngritur fillimisht me universitetin për t’u dhënë mundësi më të mirëve që të kenë një sallë pritjeje ku aktivisht të vetëofrohen si punonjës të rinj të shtetit. Nga ana tjetër, besoj se kemi kapërcyer edhe një ngërç përmes këtij programi, atë të eksperiencës, që në të shkuarën i ka penguar shumë vajza dhe djem të fitojnë konkurset e shërbimit civil për shkak të mungesës së saj. Ishte pak si ‘pula me vezën’: që të hyje në administratën publike duhej të kishe eksperiencë, por pa hyrë në administratë nuk kishe ku ta krijoje atë. Në një farë mënyre, programi e ka garantuar këtë tranzicion”, tha Rama.
Kryeministri u ndal gjithashtu te një tjetër projekt i qeverisë në bashkëpunim me Komisionin Europian, Projekti i Garancisë Rinore, me vlerë rreth 65 milionë euro.
“Është një projekt që synon të identifikojë dhe të aktivizojë të rinjtë që kanë potencial, por që nuk janë aktivë në kërkimin e rrugës për të nxjerrë më të mirën nga vetja. Ai ofron mbështetje ekonomike, trajnime dhe aftësim profesional për të rinjtë, si dhe synon të sigurojë mundësi konkrete punësimi, vazhdimin e formimit profesional dhe të praktikave, duke fuqizuar pjesëmarrjen e të rinjve në jetën sociale dhe ekonomike të komunitetit”, u shpreh Rama.
Si rezultat i thirrjes së 10-të të programit, të rinjve ekselentë u janë ofruar 1,401 praktika, si dhe cikle trajnimesh për aftësi digjitale, etikë dhe financë. Nga rreth 600 të rinj të përfshirë në institucionet publike, 250 prej tyre kanë përfituar kontratë njëvjeçare pune.
Top Channel