Zgjedhjet e mesmandatit, Trump: ICE po frikëson hispanikët e afro-amerikanët

03/02/2026 13:17

Trump i druhet humbjes në zgjedhjet e mesmandatit dhe po studiuar mënyrat për të ndikuar votën: Kjo është hipoteza që hedh Corriere della Sera, i cili analizon idenë se sjellja e ashpër e agjentëve të ICE dhe prania ë tyre në afërsi të qendrave të votimit, mund të jetë një mënyrë për të frikësuar hispanikët dhe afro-amerikanët.

Deri tre muaj më parë, demokratët kishin frikë se paslëkundja e gjatë e zgjedhjes triumfuese të Donald Trump në vitin 2024 do t’i shtynte republikanët drejt fitores edhe në zgjedhjet e mesmandatit, e ndoshta edhe më tej. Por ani, me treguesit e popullaritetit të presidentit në rënie të lirë dhe pas një sërë fitoresh të papritura të progresistëve në zgjedhje lokale në mbarë Amerikën- më e fundit të shtunën në Teksas-kundërshtarët politikë të Trumpit po rifitojnë besimin se e kanë sërish mbështetjen e elektoratit.

Në të njëjtën kohë, vazhdon media e njohur italiane, po shfaqet një frikë e re: ajo e një fitoreje të mohuar nga qeveria aktuale, e cila, duke mos pranuar gjasat e humbjes, mund të përpiqet të ndikojë votimin në mënyra të ndryshme. Departamenti i Drejtësisë, në Minesota dhe në shumë shtete të tjera, ka kërkuar listat e votuesve dhe të dhënat e tyre personale, si dhe ka kryer një operacion për sekuestrimin e të gjitha dokumenteve të votimit të vitit 2020 në qarkun më të madh të Xhorxhias.

Trump, nga ana tjetër, theksohet më tej në shkrim, shprehet i penduar që nuk urdhëroi Gardën Kombëtare të sekuestronte makinat e votimit në shtetet ku u mposht në 2020-tën dhe deklaron se zgjedhjet e nëntorit i duken të panevojshme: sukseset e jashtëzakonshme të vitit të tij të parë në presidencë, sipas tij, janë tashmë garanci për një rezultat zgjedhor në favor të tij.

Ndërkohë, mundësia që agjentë të armatosur të ICE-it të dërgohen pranë qendrave të votimit rrezikon të frikësojë votuesit hispanikë dhe afro-amerikanë, sipas Corriere della Serës, që thotë se ata mund të shtyhen në këtë mënyrë të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos votojnë, në vend që të rrezikojnë keqtrajtim apo edhe ndalim të përkohshëm, deri sa të verifikohen se janë vërtet qytetarë të rregullt amerikanë që paguajnë taksa dhe jo emigrantë të paligjshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB