Probleme me ujin e pijshëm, banorët e Tërovës së Maliqit në protestë: Vjen erë e keqe

03/02/2026 13:25

Prej më shumë se dy javësh banorët e fshatit Tërovë në Maliq përballen me një situatë të pazakontë që lidhet me ujin e pijshëm.

Sa herë hapin rubinetat uji që del ka një aromë të keqe çka e bën të pamundur konsumin e tij për tu pirë por edhe përdorimin e tij për gatim apo për higjienë.

Ata tregojnë se janë përpjekur që ta ziejnë ujin në mënyrë që të mund ta përdorin por edhe kjo nuk ka dhënë rezultat.  Pavarësisht shqetësimit të tyre dhe njoftimit të autoriteteve banorët thonë se ende nuk kanë një përgjigje për këtë situatë çka ka bërë që ata të protestojnë

Përveç fshatit Tërovë e njëjta situatë ka prekur edhe fshatin Pendavinj duke bërë që në total të preken thuajse 1000 banorë.  Të pyetur në lidhje me shqetësimin e banorëve përfaqësues të ujësjellësit thonë se janë në dijeni të situatës dhe rreth një javë më parë janë kryer verifikimet në terren si dhe janë marrë kampionë për analiza por nuk janë konstatuar probleme në rrjet dhe uji ka rezultuar i pijshëm.  Pas ankesave të tjera të banorëve ata janë përsëri në monitorim të situatës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB