Trump përshkallëzon përplasjen me Harvardin, kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga universiteti
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, pritet të zhvillojë këtë të martë në Uashington një takim të rëndësishëm me presidentin amerikan Donald Trump, në atë që do të jetë takimi i parë personal mes dy liderëve pas muajsh përplasje të ashpra dhe retorike tensionuese.
Në agjendën e bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë pritet të jenë çështje të ndjeshme si situata në Venezuelë, trafiku i drogës, siguria rajonale, nafta dhe sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge.
Takimi vjen pas një periudhe të gjatë acarimi diplomatik, ku Petro ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të SHBA-së, sulmet amerikane në Karaibe dhe Paqësor, si edhe politikat e emigracionit. Në një intervistë për BBC, ai shkoi deri aty sa krahasoi agjentët e emigracionit amerikan me “brigada naziste” dhe paralajmëroi për një “kërcënim real” të ndërhyrjes ushtarake amerikane në Kolumbi.
Nga ana tjetër, Trump ka akuzuar qeverinë e Petros se nuk po bën mjaftueshëm për të ndalur rrjedhën e kokainës drejt SHBA-së dhe ka deklaruar se operacionet ushtarake në Kolumbi “duken si një ide e mirë”.
Megjithatë, tonet u zbutën pas një bisede telefonike mes dy presidentëve në fillim të janarit, pas një operacioni ushtarak amerikan që çoi në kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro. Autoritetet kolumbiane e përshkruan këtë bisedë si një kthesë 180 gradë në qëndrimet e të dyja palëve.
Sipas burimeve diplomatike, rolin kyç në organizimin e dialogut e ka pasur senatori amerikan Rand Paul, i cili u shpreh se beson në diplomaci dhe në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Një nga temat kryesore të takimit do të jetë siguria në kufirin Kolumbi–Venezuelë, një zonë problematike prej mbi 2,200 kilometrash, e dominuar pjesërisht nga grupi gueril ELN. Ky grup kontrollon trafikun e drogës, zhvatjen dhe minierat ilegale, duke bashkëpunuar shpesh me elementë të korruptuar të autoriteteve venezueliane.
Pas rrëzimit të Maduro-s, Petro ka urdhëruar dislokimin e 30 mijë ushtarëve kolumbianë në kufi për të parandaluar lëvizjen e ELN-së drejt territorit kolumbian. Analistët paralajmërojnë se grupi gueril mund të përbëjë kërcënim edhe për kompanitë amerikane të naftës që synojnë të investojnë në Venezuelë.
Një tjetër pikë e nxehtë e takimit do të jetë lufta kundër trafikut të kokainës. Kolumbia mbetet prodhuesi më i madh i kokainës në botë, ndërsa SHBA e ka përfshirë vendin në listën e shteteve që “nuk kanë përmbushur detyrimet” në luftën kundër drogës, duke vendosur edhe sanksione ndaj zyrtarëve kolumbianë.
Pavarësisht tensioneve, bashkëpunimi mes forcave të sigurisë dhe agjencive antidrogë të dy vendeve ka vijuar.
Analistët vlerësojnë se takimi mund të jetë një moment vendimtar për marrëdhëniet SHBA–Kolumbi, por nuk përjashtohet as një përplasje e fortë në Zyrën Ovale. Megjithatë, për Petron, edhe një takim i vështirë mund të kthehet në avantazh politik, në prag të përfundimit të mandatit të tij presidencial këtë verë.
Top Channel