Deputeti socialist Erion Braçe e ka nisur me kritika fjalën e tij gjatë seancës plenare, ku ka kërkuar pyetje-përgjigje me ministren e Shëndetësisë lidhur me mosfunksionimin e një qendre shëndetësore në njësinë nr.5
Braçe u shpreh se kërkesa e tij duhet të ishte shtruar në Kuvend pasi qytetarët nuk po marrin shërbime shëndetësore, ndërsa nuk kurseu kritikat as për institucione të tjera.
Erion Braçe: Kam paraqitur një proces për pyetje-përgjigje për ministren e Shëndetësisë. Ka të bëjë me mosfunksionimin e një qendre shëndetësore në zonën 5. Jemi në pikën e periudhës së gripit; mijëra njerëz në atë njësi dhe zonë nuk marrin dot shërbim shëndetësor në kohë dhe në kushte optimale për shëndetin e tyre. Kërkesën e kam paraqitur më 19 janar, sot jemi më 3 shkurt. Rregullorja ka 5 nene për disa lloje pyetjesh dhe nuk e gjen dot se kur e merr përgjigjen.
Ata njerëz atje prej 4 muajsh janë në nevojë; mendoja që duhet të ishte shqetësim i ministres për të kthyer përgjigje për këtë gjë sa më parë të jetë e mundur. Po ua them, çdo mënyrë tjetër e marrjes së përgjigjes është ezauruar. Po hyjmë në muajin e pestë me shërbim të kufizuar për ata njerëz. E dyta i referohet procesit të kërkesës për marrje informacioni. Ka institucione që i pyet për vezë, të kthejnë për bomba. Refuzojnë përgjigje sepse nuk u pëlqen ajo që them unë, punë e madhe.
Nënkryetarja e Kuvendit: Kërkesa juaj është planifikuar në seancën pasardhëse. Kështu është planifikuar në bazë të kërkesës suaj.
Top Channel