Mashtrimet online/ “Piratët” përdorin emrin e postës shqiptare, ekspertët: Mos klikoni mesazhet e dyshimta

03/02/2026 19:52

Nëse një prej mesazheve që ka ardhur në telefonin tuaj nis në këtë mënyrë, duhet të bëni kujdes pasi dikush po tenton të vjedhi të dhënat personale.

Kjo është një ndër metodat më të përdorura së fundmi nga hakerat, duke i bërë qytetarët që të besojnë se Posta Shqiptare po i njofton për një pako që ka mbetur pa u dorëzuar, e për ta marrë duhet të klikoni në linkun që ju kanë dërguar.

Për tu mbrojtur nga të tilla mashtrime online, ka disa element që të gjithë duhet ti kemi parasysh, aq më tepër kur bëhet fjalë për pagesa që pretendohet se kryhen në emër të institucioneve shtetërore.

“Posta nuk e merr pagesën nëpërmjet një website ose nëpërmjet një URL-je, këtë duhet ta kenë të gjithë parasysh. Nëse është një palë e tretë siç mund të jenë kompanitë e zhdoganimit, ato të nisin një faturë, por fatura bëhet nëpërmjet IBAN të një banke shqiptare, nuk bëhet të një banke të jashtme, sepse dogana paguhet në një institucion shqiptar, jo në një institucion jashtë Shqipërie, këtë gjë duhet ta kenë të sigurt”, tha për Top Channel Tomi Kallanxhi, ekspert IT.

Në ditë dërgohen me qindra mesazhe të tilla, që burojnë kryesisht nga vjedhja e të dhënave personale nga faqe të ndryshme internet, ndaj është e rëndësishme që personat që kanë rënë pre, të denoncojnë  rastin në polici.

“Sot online ka shumë faqe internet që nëpërmjet databreach që quhen në gjuhën teknike, që mund të jenë marr nga operatorët, nga shërbimet e klientit, nga website të ndryshme që mund të jenë hakeruar. Ka website që shesin të dhëna të banorëve të çfarëdolloj shteti të botës, duke filluar që nga Shqipëria, Italia etj dhe këta “keqbërësit digital” i blejnë këto kontakte dhe dërgojnë me  qindra mijëra mesazhe çdo ditë dhe pastaj mjafton që 20 persona të bien pre por ne gjithmonë duhet ta denoncojmë këtë situatë që dikush tjetër pas nesh mos të bie pre”, tha Kallanxhi.

Ekpserti Kallanxhi shpjegon se një pjesë e madhe e këtyre mashtrimeve vijnë nga vende jashtë Europës, ku aktivitetet kriminale online janë kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash.

“Është përhapur, në përgjithësi këto lloj mashtrimesh online, vijn nga Azia ose Lindja e Mesme edhe Afrika si shtete si Nigeria ku një pjesë e madhe e GDP vjen nga mashtrimet online. Pastaj kemi shtete si Kamboxhia, Pakistani, Bangladeshi, India që në një farë mënyre shumë gjëra nuk funksionojnë dhe ata godasin shtetet europiane, që është edhe e vështirë që të arrijnë në personazhe të tillë në Indi”, tha ai.

Mashtrimet online mbeten një problem serioz në të gjithë botën ndaj duhet kujdes i shtuar për të mos klikuar në linke të dyshimta që vijnë me mesazhe apo e-maile, për të parandaluar kështu përhapjen e mëtejshme të këtyre skemave kriminale.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB