Londra fut në ‘lupë’ Lordin Mandelson, qeveria britanike bashkëpunon me policinë për hetimin e lidhjes me Epstein

03/02/2026 20:24

Lordi Mendelson njoftohet se tashmë do hetohet nga policia britanike pas dosjeve të dala nga skandali me ish-financiarin e ndjerë amerikan i akuzuar për krime seksuale, Jeffry Epstein.

Ka qenë kryeministri britanik Sir Keir Starmer gjatë mbledhjes me ministrat kryesorë të kabinetit këtë të martë, që përsëriti faktin se Mendelson, ish-ambasadori britanik në Uashington deri vitin e kaluar, një nga figurat kryesore të qeverive laburiste të kohës së Toni Blair dhe Gordon Braun, nuk duhet të jetë më as në Dhomën e Lartë të parlamentit, në Dhomën e Lordëve.

Qeveria britanike është duke hartuar ligje që do t’i ndalonin Lordit Mendelson mbajtjen e titullit Lord dhe se qeveria do bashkëpunojë me Policinë për çdo hetim. Një hetim paraprak i dokumentave të lëshuara në lidhje me pedofilin amerikan Jeffrey Epstein nga Departamenti amerikan i Drejtësisë ka zbuluar se në to gjenden email-e që përmbajnë informacione sensitive për tregjet, pas krizës financiare të vitit 2008.

Nga dosja ende e pa shqyrtuar deri në fund, konfirmojnë lidhjen e jashtëzakonshme mes Mendelson dhe Epstein, të cilat vazhduan edhe pas burgosjes për krime seksuale. Nga dokumentat rezulton se në këto dokumente Lordi Mendelson përmendet 6 mijë herë. Në to përfshihen edhe email-e me këshilltarët kryesorë të qeverisë britanike të kohës kur diskutohet për shitje asetesh në vlerën e 20 miliardë dollarëve në kuadër të politikave të qeverisë britanike për taksat.

Duket se Lordi Mendelson i ka kaluar ish-financierit pedofil, i cili ndërroi jetë në një burg të Nju Jorkut në vitin 2019, edhe këshillat tejet sekrete dhe të ndjeshme që i ishin dhënë ish-kryeministrit britanik Gordon Braun që pasoi në atë post Toni Blair në kulmin e krizës financiare. Këto informacione do kishin qenë mjaft të vlefshme për çdo bankë dhe institucion financiar. Në dokumentin e dërguar Epstein shkruhej “një shënim interesant që i ka mbërritur në tavolinë Kryeministrit”.

Në një email tjetër Mendelson i ka dhënë Epstein një njoftim paraprak këshillimor për një bailout në vlerën e 500 miliardë eurove të Eurozonës, potencialisht duke i lejuar financierit pedofil të përfitojë financiarisht përpara marrëveshjes që do njoftohej zyrtarisht të nesërmen. Lordi Mendelson njoftoi mikun e tij amerikan një natë para kur të nesërmen Gordon Braun do të jepte dorëheqjen si kryeministër i Britanisë.

Lordi Mendelson, një gej i njohur, njihet edhe si arkitekt i Partisë së Re Laburiste britanike të qendrës së majtë e dalë në kohën e kryeministrit Toni Blair. Përveç hetimit penal që mund të marrë një dënim të gjatë, nëse shpallet fajtor për veprat që parashihen, Lordi Mendelson me siguri matematikore do t’i hiqet edhe titulli Lord, duke i dhënë në mënyrën më të shëmtuar fund karrierës së tij në politikën britanike, e tronditur nga skandali Epstein, i cili mesa duket është në fillesat e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB