Atentati në Rrilë të Lezhës, zbulohen emrat e personave të shpallur në kërkim, anëtarë të fisit Ndoka

02/02/2026 22:50

Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim katër të rinj dhe ka ndaluar një efektiv policie, pas hetimeve për atentatin e ndodhur më 1 shkurt në fshatin Rrilë.

Në lidhje me ngjarjen, me urdhër të Prokurorisë është ndaluar efektivi i Policisë së Shtetit Besard Kovaçi, i cili ndodhej në të njëjtin ambient në momentin e sulmit. Ai akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Sipas të dhënave zyrtare, efektivi ka qenë i pranishëm në berberhane dhe gjatë atentatit ka kundërpërgjigjur, duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të autorëve të dyshuar.

Ndërkohë, Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim shtetasit Geraldo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, të dyshuar për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”. Në kërkim është shpallur edhe 21-vjeçari Merando Nikulaj, i cili dyshohet se ishte objektivi i atentatit.

Kevin Ndoka nuk është emër i panjohur për policinë e Lezhës. Ai ishte shpallur në kërkim në vitin 2024 për një ngjarje të ndodhur në Rrilë, ku mbeti i plagosur Agron Puka, ndërsa vetëm pak javë më parë dyshohet se ka dhunuar dy persona në një lokal në qytetin e Lezhës.

Atentati ndodhi rreth orës 21:00, në një berberhane në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, mbeti i plagosur berberi Sokol Daci, i cili u transportua menjëherë për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të atentatit ndaj Nikulajt, ndërsa policia po punon për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Top Channel