“E gatshme për çdo lloj pune”/ Dosjet Epstein, pjesë e email-eve edhe e reja shqiptare që jetonte në Nju Jork
Në dosjen voluminoze të Jeffrey Epstein, e cila përfshin mbi 3 milionë faqe dhe është bërë publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, shfaqet edhe emri i një vajze nga Tirana, e cila rezulton të ketë aplikuar për një pozicion pune si asistente personale.
Sipas dokumenteve zyrtare, email-i i vajzës me Egerta Terziu, është dërguar në mars të vitit 2017. Fillimisht, ajo ka kontaktuar një ndërmjetës, emri i të cilit është i redaktuar në dosje, duke i dërguar CV-në dhe duke shprehur interes për vendin e punës.
“Nuk jam me bazë në Shtetet e Bashkuara. A është kjo problem?”, shkruan ajo në email, duke iu referuar një oferte pune që, sipas saj, i ishte komunikuar përmes Evan Luthra-s.
Përgjigjja që ajo merr është se vendndodhja nuk përbën pengesë, ndërsa i kërkohet të dërgojë tre fotografi personale të cilësisë së mirë, si dhe CV-në e saj. Pas dërgimit të materialeve, ndërmjetësi i përcjell informacionin Jeffrey Epstein-it, duke e përshkruar vajzën si 21–22 vjeçe.

Në komunikimin e mëtejshëm me Epstein-in, ndërmjetësi shprehet se vajza jeton në Paris, ndonëse në CV-në e dorëzuar nga ajo thuhet se banon në Tiranë. “A duhet ta intervistoj këtë?”, pyet ai në email-in drejtuar Epstein-it.
Nga lista e bashkëngjitjeve rezulton se, përveç CV-së dhe fotografive, vajza ka dërguar edhe një video prezantuese në kuadër të aplikimit për këtë pozicion.
Dokumentet nuk sqarojnë nëse ky proces aplikimi ka vijuar më tej apo nëse ka pasur kontakte të tjera mes palëve.
Top Channel