Ngushtohet hyrja në Durrës/ Punimet te “Ura e dajlanit” shkaktojnë trafik, por edhe pasiguri për mungesë ndriçimi

01/02/2026 12:55

Investimi që po zbatohet prej disa muajsh në hyrje-daljen e qytetit të Durrësit, pranë rrethrrotullimit te Ura e Dajlanit, ka ngritur shqetësime për sigurinë rrugore.

Sipas projektit, karrexhata është ngushtuar në këtë segment, duke krijuar efektin “hinkë” për t’i dhënë hapësirë këmbësorëve dhe duke ndryshuar ndjeshëm rrjedhën e trafikut.

“Shumë problematike. Këtu është dalja e qytetit dhe nga 3 korsi futet në hinkë në 1 korsi. Kalimi në rotondo në vend që të zgjerohet se mjetet shtohen çdo ditë, ndërsa rrugët ngushtohen. Shumë e rrezikshme.”

-“Është turp të ngushtosh rrugën në rrethrrotullim. Aty rrinë “vajzat modern” dhe po u bëjnë trotuar që të rrinë. Vijmë që andej dhe bëhemi grumbull dhe as fëmijët nuk i çojmë dot në shkollë. Në mëngjes këtu bllokohemi.”

-“Nuk dimë se ç’mendojnë ata që bëjnë këto punime. Është e rrezikshme si për këmbësorët dhe për makinat.”

-“Sinjalistika kudo është me probleme.”

-“Mosha rinore kanë një arrogancë që të bëjnë me fol me vete. Trafiku është për faqe të zezë nuk ka trajtim nga policia bashkiake dhe nga policia.”-shprehen banorët.

Lëvizja bëhet veçanërisht e rrezikshme gjatë orëve të natës, për shkak të ndriçimit të pamjaftueshëm dhe dukshmërisë së kufizuar. Fluksi i lartë i automjeteve e bën këtë nyje një pikë kritike për qarkullimin. Jo vetëm drejtuesit e mjeteve, po dhe ekspertët e sigurisë rrugore kërkojnë sinjalistikë të qartë dhe ndriçim funksional për të shmangur aksidentet.

“Ky duhet të jetë patjetër një rrethrrotullim i mirëndriccuar veccanërisht natën. Jemi qytet turistik, po së pari për banorët dhe duhet të nisë me sinjalistikën që tek semafori. Karrexhata duhet të jetë e ndarë, që tek semafori drejtuesi i mjetit duhet ta dijë se ku duhet të lëvizë, krahu i djathtë që vazhdon drejt Shkozetit dhe Tiranës dhe i majti në plazh. Janë të domosdoshme, sinjalistika dhe ndrçimi, që të mos bëhet burim aksidentesh kjo pjesë e rrugës dhe shpejtësia duhet të jetë 30-40 km/h.”- thotë Elvis Petani, ekspert i sigurisë rrugore.

Investimi, i financuar me fonde të BERZH-it dhe i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, synon përmirësimin e infrastrukturës, por pa masa shtesë sigurie, ky segment rrezikon të kthehet në një pikë problematike për qarkullimin në Durrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB