LAJM I FUNDIT/ Plagosje me armë në Lezhë
Një nga momentet më të forta emocionale të Grida Duma Podcast erdhi nga rrëfimi i sinqertë dhe pa filtra i Mehdi Malkajt për betejën e gjatë dhe të dhimbshme të djalit të tij me drogën.
Pa dramatizime dhe pa viktimizim, aktori i madh foli si baba, me fjalë të thjeshta dhe të vërteta që peshojnë rëndë.
“Gjënë time më të bukur dhe më të lumtur të kësaj kohe e kam momentin kur u vërtetua që u fitua një betejë nga djali”, thotë Malkaj, duke e quajtur këtë fitore më të madhe se çdo sukses personal apo profesional.
Ai rrëfen se djali ishte vetëm 15 vjeç kur provoi për herë të parë drogën, në një kohë kur askush nuk e kuptonte realisht çfarë ishte dhe sa shkatërruese mund të bëhej. “Adoleshentët bien në dashuri me atë që shohin, jo me atë që është”, shprehet ai, duke e përshkruar varësinë si një dashuri të rreme që zgjati më shumë seç duhej.
Malkaj flet hapur për netët pa gjumë, për kërkimet e pafundme në rrugët e Tiranës bashkë me bashkëshorten, për përpjekjet për të qenë shok i djalit dhe jo thjesht prind autoritar. Një rrugë e gjatë, e lodhshme dhe plot pasiguri, ku asgjë nuk ishte e garantuar.
Një nga momentet më prekëse të rrëfimit lidhet me marrëdhënien mes vëllait dhe motrës. Sipas Malkajt, dashuria e motrës u kthye në një dritë të fortë shprese dhe shërimi për djalin. “Ai tani është gjithë jetë. Ka sjellë dritë, gëzim, hare në shtëpi”, thotë ai, duke kujtuar edhe pushimet e para familjare pas shumë vitesh, ku djali ishte në timon, serioz dhe korrekt.
Në fund, Mehdi Malkaj përcjell një mesazh të fortë dhe të rrallë për mënyrën si flitet për drogën. “Mos mallkoni kurrë ‘u paça fëmijët me drogë’. Është luftë e madhe, shumë e madhe”, thotë ai, duke pranuar se vigjilenca nuk mbaron kurrë, por duke besuar se dashuria, familja dhe koha mund të bëjnë mrekulli.
Top Channel