Dëmshpërblimet nga zjarret, Rama: Gati kompensimi i të gjithë të dëmtuarëve, është përcaktuar masa në çdo zonë

01/02/2026 10:15

Kryeministri Edi Rama tha se tashmë qeveria është gati të dëmshpërblejë të gjithë të dëmtuarit nga zjarret e verës së shkuar.

“Këtë javë janë shpallur edhe të gjitha dëmshpërblimet për 15 bashkitë e prekura nga zjarret e verës së kaluar për periudhën 15 qershor-15 shtator, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, që nga Malësia e Madhe, në Krujë, Rrogozhinë, Peqin, Tepelenë, Delvinë, Has, Kukës, Dibër, Kamëz, Librazhd, Gramsh, Maliq, Finiq dhe Dropull. Të gjitha këto territore të prekura nga zjarret kanë tanimë në dispozicion masën e përcaktuar të dëmshpërblimeve sipas dëmeve. Është bërë një punë shumë e detajuar dhe është krijuar më e rëndësishmja, e gjithë korniza për të bërë të mundur që dëmshpërblimi të shkojë aty ku duhet dhe cilido që është dëmtuar të marrë atë që i takon“-tha Rama.

Kryeministri tregoi se pse ishte i nevojshëm transferimi kadastrës së Vlorës në Tiranë.

Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Dhe janë dy fjalë që duhen thënë, sepse edhe një herë tjetër u ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale, nuk kanë nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit. Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika.
Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur dhe duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës.
Ky, nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online”-u shpreh Rama.

Duke komentuar vizitën në Izrael kryeministri Edi Rama e quajti si  vendosjen  në piedestalin e respektit dhe përtej emocionit të tij të  madh personal, ishte një emocion kombëtar, sepse ajo ftesë ishte një vlerësim i madh për Shqipërinë.

“Në Izrael, ne hodhëm edhe një hap konkret drejt së ardhmes me themelimin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Izraelite, një instrument i ri bashkëpunimi që hap rrugë të reja për të ardhmen e përbashkët.  Kjo vizitë në thellësine e vet kishte një përmbajtje të atillë që i shërben, jo vetëm arsyeve pse u bë, por i shërben edhe të nesërmes, si një gur themeli për të ecur së bashku si një rrugë, ku ka plot arsye të paktën për ne nga ana jonë që t’i referohemi Izraelit, si një vend me zhvillim të jashtëzakonshëm, si një vend me ekspertizë të jashtëzakonshme, si një vend me realitete të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë, në fushën e bujqësisë, në fushën e sigurisë padiskutim”. 

Në podcastin e përjavshëm Flasim kryeministri u ndal edhe në buxheti 2026 të mbrojtjes , i cili sipas tij  e ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve për mbrojtjen, duke shkuar mbi 2% të prodhimit të brendshëm bruto, pra mbi atë pragun standard të NATO-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB