Afatet ligjore për shqyrtimin e ankesave zgjedhore mund ta çojnë Kosovën pranë një krize të re institucionale, veçanërisht në raport me zgjedhjen e Presidentit të vendit.

Pas më shumë se një muaji nga zgjedhjet parlamentare, ka përfunduar rinumërimi i votave të kandidatëve për deputet, duke i hapur rrugën shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, ligji parashikon edhe afate shtesë për ankesa, e kjo mund të vonojë certifikimin e rezultateve. Subjektet politike kanë 48 orë për të paraqitur ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili duhet të vendosë brenda 72 orëve. Në rast refuzimi, ankesa mund të dërgohet në Gjykatën Supreme, e cila ka afat pesë ditë për vendim.

Sipas KQZ-së, rinumërimi ka sqaruar dilemat rreth rezultateve, por institucionet janë të detyruara të respektojnë të gjitha afatet ligjore para certifikimit përfundimtar. Rinumërimi nxori në pah manipulime të mëdha brenda partive politike, ku dhjetëra mijëra vota të kandidatëve ishin transferuar gabimisht nga një kandidat te tjetri. Rreth 150 komisionerë janë përfshirë në hetime penale, ndërsa në Prizren janë caktuar masa paraburgimi për 23 persona të dyshuar për manipulim zgjedhor dhe vepra të tjera penale.

Njohësit e proceseve zgjedhore vlerësojnë se, edhe pse rinumërimi ka korrigjuar rezultatet, dëmi kryesor i është shkaktuar besueshmërisë së procesit zgjedhor. Sipas Ismet Kryeziu, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë kjo që vëzhgoi zgjedhjet, manipulimet nuk kanë qenë të izoluara dhe krijojnë një precedent të rrezikshëm, ku përgjegjësia penale bie mbi komisionerët, ndërsa përfitimi politik mbetet te kandidatët dhe partitë. Ai shkroi në Facebook se “teknikisht, rinumërimi ka korrigjuar keqpërdorimet dhe ka rikthyer numrin real të votave për secilin kandidat”, por megjithatë, sipas tij, “problemi kryesor nuk qëndron më te rezultati – i cili mund të krijojë përbërjen e njëjtë të Kuvendit me atë të pararinumërimit – por te besueshmëria e procesit zgjedhor, e cila është dëmtuar rëndë”.

“Fakti që shumica e kandidatëve, edhe pas largimit të votave të keqpërdorura, mund të certifikohen si deputetë, nuk e zhbën këtë dëm. Përkundrazi, krijon një precedent të rrezikshëm: manipulimi shndërrohet në një strategji me kosto të ulët, ku përgjegjësia penale bie mbi komisionerët, ndërsa përfitimi politik mbetet tek kandidatët dhe partitë. Kështu krijohet një paradoks serioz: procesi pranohet si i rregulluar ligjërisht, por mbetet i komprometuar moralisht”, shkroi Kryeziu.

Vonesat në certifikimin e rezultateve po ashtu rrezikojnë vonimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Kuvendi ka afat deri më 4 mars për zgjedhjen e Presidentit, 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale. Nëse kjo nuk ndodh, vendi, sipas Kushtetutës, shkon automatikisht në zgjedhje të reja.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB