Formula 1/ Mbyllen testet e Barcelonës, Hamilton dhe Ferrari me kohën më të mirë absolute
Kënaqësi dhe përmbajtje; janë fjalët në rend të ditës te Ferrari pas mbylljes së 5 ditëve të testeve në pistën e Montmelo në Barcelonë.
Në ditën e fundit, Ferrari SF-26 kreu 440 xhiro për një total prej 2050 km nga të dy pilotët Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton me britanikun që në pasditen e së premtes regjistroi kohën më të shpejtë të 5 ditëve të testeve duke sjellë një lloj optimizmi për potencialin e SF-26 dhe për cilësinë e punës së bërë në Barcelonë.
Në përfundim të testeve si Drejtori i Ferrarit Vasseur ashtu edhe të dy pilotët dhanë vlerësimet e tyre për makinën e re Ferrari që në shkurt do të zhvillojë dy sesionet e testeve zyrtare në Bahrein.
FRED VASSEUR (DREJTORI I SKUADRËS)
‘Ishte një javë produktive në përgjithësi. U përballëm me kushte të ndryshme; nga pistë e lagur në të thatë duke përshkuar çdo ditë shumë kilometra, diçka thelbësore kjo në këtë fazë për të mbledhur të dhëna dhe për të verifikuar besueshmërinë e makinës. Nuk kemi pasur probleme të rëndësishme dhe ky është një tjetër aspekt i rëndësishëm. Është ende shumë herët për të folur dhe se ka shumë për të analizuar e përmirësuar. Tani kthehemi në Maranello për të punuar mbi atë që kemi mësuar kësaj jave dhe për t’u përgatitur për testet e Bahreinit që do të jenë më domëthënese’.
CHARLES LECLERC
‘Plotësuam programin dhe kryem shumë xhiro, një aspekt i rëndësishëm për të nisur të kuptojmë makinën dhe sistemet e reja. Dita e parë, në pistë të lagur, ishte impenjative sidomos me makinën krejtësisht të re, por u shndërrua në një eksperiencë e dobishme nga e cila mësuam. Edhe dy ditët e fundit ishin pozitive dhe tani vëmendja spostohet te analiza e të dhënave dhe te puna në Maranello në kuadër të testeve të Bahreinit’.
LEWIS HAMILTON
‘U bë një punë e madhe gjatë dimrit si nga unë personalisht ashtu edhe nga pjesa tjetër e skuadrës dhe është pozitive të shohësh këtë impenjim të reflektuar te kilometrat e plotësuar pa probleme të mëdha. Drejtimi i makinës në pistë të lagur në fillim rezultoi një eksperiencë e çmuar sidomos me makinën e re dhe në përgjithësi, fillimi ynë ishte solid. Ka akoma shumë për të mësuar e shumë punë për të bërë, por atmosfera brenda skuadrës është e mirë dhe i shoh të gjithë të përqendruar. Marrim me vete gjithçka kemi mësuar, do të analizojmë të dhënat për t’u përgatitur me kujdes për testet e Bahreinit’
Top Channel
Futbollisti fatkeq bardheblu, përcjell në banesën e fundit, në vendlindjen e tij, vajzën që ndërroi jetë aksidentalisht në Tiranë