Ndërsa presidenti i FIFA, Gianni Infantino dhe ai i SHBA, Donald Trump premtojnë se Botërori 2026 do të jetë një festë, hija e bojkotit po zgjerohet në SHBA. Në Evropë, po shtohen zërat e bojkotit, ndërsa edhe SHBA, sektorë të Partisë Demokratike e konsiderojnë hipokrizi mbajtjen e një kompeticioni global në një klimë armiqësore që është në rritje.

Ish presidenti i FIFA, Joseph Blatter, ishte ndër personalitetet e fundit që iu bashkua fushatës për bojkot kur gjatë kësaj jave nëpërmjet një postimi në X iu kërkoi tifozëve që të qëndrojnë larg SHBA. Fjalët e tij erdhën në mes të riashpërsimit të politikës për emigracionin nga qeveria amerikane që për më tepër solli arrestimin dhe deportimin e mijëra personave në vitin e fundit si dhe shkaktoi vdekjen e dy qytetarëve që u qëlluan me armë nga agjentët e ICE.

Ditë më parë, zv/presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit Oke Gottlich, iu bashkua kritikave kundër Botërorit duke pohuar se jeta e një futbollisti nuk vlen më shumë se ajo e personave të panumërt. Por më pas presidenti i këtij institucioni Bernd Neuendorf e refuzoi idenë e bojkotit dhe i konsideroi deklaratat e bashkëkombasit të tij si të gabuara.

Disa anëtarë të Partisë Demokratike amerikane dalin kundër

Thirrjet për bojkot nga ana e tifozëve të huaj nuk kanë qenë shumë të dukshme brenda SHBA duke parë edhe impaktin ekonomik që do të ketë turneu, i cili pritet edhe nga Kanadaja e Meksika, por disa anëtarë të Partisë Demokratike në SHBA, e kritikuan administratën Trump.  Guvernatori i Kalifornisë, kundërshtar i flaktë i Trump dhe anëtar i Partisë Demokratike, Gavin Neësom, deklaroi se politikat kaotike dhe mizore të presidentit po bëjnë që bota të dëshirojë të bojkotojë SHBA. Ndërsa senatori demokrat i Maryland, Chris Van Hollen, vuri në dukje kontradiktat e Administratës amerikane me Botërorin. ‘Supozohet që Botërori është një moment ku bota bashkohet, lë mënjanë diferencat për të  celebruar sportin dhe nëse ky event simbolizon bashkimin e botës, kemi një president të SHBA që tenton të lërë jashtë njerëzit dhe botën’-tha ai në muajin dhjetor. Në krahun e kundërt, në ambientet republikane vihet në dukje roli i Botërorit si një motor i rritjes ekonomike të vendit dhe mohojnë se suguria strikte do të përkeqësojë eksperiencën e tifozëve. ‘Do t’i tregojmë botës se mund të kemi sigurinë më strikte kombëtare dhe kontrollin e emigrimit dhe në të njëjtën kohë të ofrojmë mirëpritje sportive të një niveli të lartë-tha Drejtori i grupit të Punes për Botërorin, Andreë Giuliani në 21 janar nga Shtëpia e Bardheë

Trajneri i SHBA, Pochettino, eviton të mbajë një qëndrim

Në planin futbollistik, trajneri i SHBA, argjentinasi Mauricio Pochettino, evitoi mbajtjen e një qëndrimi kur u pyet në konferencën për shtyp për cështjet josportive të lidhura me Botërorin duke thënë se ai dhe stafi i tij teknik nuk janë politikanë. Trajneri refuzoi të bëjë një vlerësim për rritjen e çmimeve të biletave për ndeshjet e Kupës së Botës, që kanë qenë një tjetër motiv i ankesës së tifozëve ku bileta më e lirë kalon 4000 dollarët.

SHBA do të presë 78 nga 104 ndeshjet e Botërorit që do të mbahet në 11 qershor deri në 19 korrik me finalen që do të luhet në MetLife Stadium të New York/New Jersey.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB