300 shkolla pa shërbim psiko-social/ 93 mijë nxënës pa mbështetje, në shumë shkolla nuk ka psikologë

31/01/2026 12:40

Më shumë se për 300 shkolla në Shqipëri nuk ofrohet shërbimi psiko-social, arrin në përfundim Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Edhe pse shërbimi psikologjik ka nisur në shkolla që prej vitit 2004, ende pas mbi dy dekadash shërbimi i zgjeruar në psiko-social nuk mbulon plotësisht me punonjës të gjithë institucionet arsimore duke i trajtuar nxënësit në mënyrë të pabarabartë.

Nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në sistemin arsimor parauniversitar përgjatë periudhës 2020 deri në 2024 rezulton se ndonëse është shtuar numri i punonjësve psiko-social në 824, nuk garantohet shërbimi psiko-social gjithëpërfshirës për nxënësit në shkolla, për të mësuar në një mjedis më të sigurt dhe mbështetës dhe fëmijët me aftësi të kufizuar nuk përfitojnë shërbimin siç e kërkon ligji.

“Prej 1356 shkollave në vend, rreth 1/4 e tyre ose 334 shkolla nuk kanë mbulim me punonjës socialë apo psikologë, ose rreth 92,991 nxënësish të cilëve nuk u është ofruar mbështetja e nevojshme psiko-sociale.  

Kabinetet dhe mjetet ndihmëse mungojnë, por, dhe kur ato gjenden, në pjesën më të madhe të rasteve nuk janë të dedikuara për specialistët e këtij shërbimi. Megjithëse ndër vite janë ndërmarrë hapa për rritjen e numrit të stafit, shërbimi nuk e përmbush ende funksionin e tij në mënyrë cilësore”, KLSH. 

Mbulimi i cunguar evidentohet kryesisht në jug të Shqipërisë edhe në periferi, ku gjatë monitorimit konstatohet se pa shërbimin psiko-social janë 8 shkollat e zyrës arsimore Finiq Dropull. Gjendja paraqitet më e vështirë, edhe në ZVA e Selenicë dhe Tepelenë –Memaliaj ku për 32 shkolla është punësuar vetëm një punonjës për secilin shërbim.

“Në rang vendi mesatarisht një punonjës i shërbimit psiko–social mbulon 1.7 shkolla . Në nivel Drejtorie Rajonale Arsimore,  situata paraqitet më problematike në DRAP-in e Fierit dhe atë të Korçës, ku një punonjës i shërbimit psiko–social mbulon respektivisht 2.6 shkolla në Fier dhe 2 shkolla në Korçë.

Situata paraqitet më mirë në DRAP – in e Durrësit dhe atë të Lezhës. Zakonisht, një psikolog ose punonjës social mbulon disa shkolla, veçanërisht në zona rurale ku numri i nxënësve është më i vogël dhe shkollat janë të larg nga njëra-tjetra”, KLSH. 

Shërbimi psiko-social aktualisht paraqet një qasje reaguese në vend të ndërhyrjes parandaluese, thekson raporti i KLSH-së si dhe nuk siguron mbulim efektiv në të gjitha shkollat në rang vendi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB