Shkencëtarët kanë zbuluar një nga sekretet kryesore për të jetuar më gjatë.

Sipas ekspertëve të Universitetit të Harvardit, kombinimi i disa llojeve aktivitetesh është më i dobishëm për shëndetin sesa përqendrimi vetëm në një ushtrim të vetëm. Studiuesit ndoqën më shumë se 111 mijë persona për mbi 30 vjet dhe zbuluan se njerëzit që kishin një përzierje të gjerë aktivitetesh fizike kishin pothuajse 20 përqind më pak rrezik për vdekje të parakohshme nga të gjitha shkaqet.

Ecja rezultoi aktiviteti individual më mbrojtës. Personat që ecnin më shumë kishin 17 për qind rrezik më të ulët vdekjeje krahasuar me ata që ecnin më pak. Edhe sportet e tjera u lidhën me përfitime të rëndësishme për shëndetin. Tenisi uli rrezikun me 15 pë qind, shëtitja me 14 përqind, vrapimi ose stërvitja me pesha me 13 përqind, vrapim i lehtë me 11 përqind dhe ngjitja e shkallëve rregullisht me 10 përqind. Çiklizmi pati ndikim më modest, me rreth 4 përqind ulje të rrezikut.

Rezultatet më të mira u panë tek personat që ushtronin rregullisht dhe kombinonin disa forma aktiviteti. Tek kjo grupmoshë, rreziku i përgjithshëm i vdekjes ishte 19 përqind më i ulët, ndërsa vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës, kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe shkaqe të tjera u reduktua nga 13 deri në 41 përqind. Studimi përfshiu 111,373 persona, nga të cilët 70,725 ishin gra dhe 40,648 burra. Gjatë periudhës së monitorimit, 38,847 pjesëmarrës humbën jetën, përfshirë 9,901 nga sëmundjet kardiovaskulare, 10,719 nga kanceri dhe 3,159 nga sëmundjet e frymëmarrjes. Çdo dy vjet, pjesëmarrësit raportonin të dhëna personale, histori mjekësore dhe zakone jetese, si dhe informacion të detajuar mbi aktivitetet fizike që kryenin./Tar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB