Qeveria siriane dhe forcat kurde arrijnë marrëveshje për integrim në shtet

30/01/2026 15:43

Qeveria e Sirisë ka arritur një marrëveshje me Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, për integrimin gradual të forcave ushtarake dhe institucioneve të tyre në strukturat shtetërore siriane, në një hap të rëndësishëm drejt ribashkimit të vendit pas luftës civile.

Marrëveshja vjen pas disa javësh përleshjesh të ashpra në verilindje të Sirisë, ku trupat qeveritare rimorën territore të mëdha që kishin qenë nën kontrollin e SDF-së për më shumë se një dekadë.

I dërguari amerikan për Sirinë, Tom Barrack, e cilësoi marrëveshjen si “një moment historik në rrugën e Sirisë drejt pajtimit kombëtar, unitetit dhe stabilitetit afatgjatë”.

Sipas marrëveshjes, SDF do të tërhiqet nga pikat e kontaktit, ndërsa anëtarët e saj do të bashkohen me ushtrinë dhe institucionet shtetërore siriane. Po ashtu, strukturat administrative dhe civile të kontrolluara nga SDF do të integrohen në administratën e Damaskut.

SDF njoftoi se marrëveshja parashikon edhe krijimin e një divizioni ushtarak me tre brigada, të përbëra nga anëtarë të saj, si dhe garantimin e të drejtave civile, arsimore dhe kulturore për popullsinë kurde, përfshirë kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre.

Një pjesë kyçe e marrëveshjes përfshin kalimin nën kontroll të qeverisë siriane të burgjeve, fushave të naftës dhe gazit. Trupat siriane morën kontrollin e fushës së naftës Omar, më e madhja në vend, dhe të digës strategjike Tabqa në lumin Eufrat.

Kurdët kishin kontrolluar rreth një të tretën e territorit të Sirisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, pas disfatës së grupit terrorist Shteti Islamik (IS). Humbjet e fundit përfaqësojnë ndryshimin më të madh territorial në vend që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor 2024, që i dha fund luftës civile 13-vjeçare.

Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa ka deklaruar se marrëveshja synon t’i japë fund ndarjes së vendit dhe të hapë rrugën drejt unitetit dhe stabilitetit. Ai ka nxjerrë gjithashtu një dekret që njeh gjuhën kurde si gjuhë kombëtare, u jep shtetësi kurdëve pa dokumente dhe shpall Vitin e Ri kurd festë kombëtare.

Kjo është njohja e parë zyrtare e të drejtave kombëtare kurde në Siri që nga pavarësia e vendit në vitin 1946, ndërsa marrëveshja vjen pas muajsh negociatash të bllokuara për integrimin e forcave kurde në shtetin sirian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB