“Në shkurt do të shohim…”, Kurti: I gatshëm për bashkëpunim me opozitën për zgjedhjen e presidentit të ri

30/01/2026 14:57

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me opozitën për çështjet që kërkojnë dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës, përfshi edhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Megjithatë, sipas tij, ky është hapi i katërt që e pret vendin pas përmbylljes së procesit të rinumërimit.

Sa i përket takimit me presidenten, jemi në komunikim dhe jemi akorduar, por ta keni parasysh se ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha aneksave të mundshme, kemi nevojë për tre hapa paraprakë. I pari, konstituimi i Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e kryetares apo kryetarit dhe pesë nënkryetarëve; pastaj formimi i qeverisë; dhe pastaj na duhet që menjëherë të fillojmë me vendimet për marrëveshjet ndërkombëtare”, shprehet Albin Kurti, kryeministri në detyrë.

Kurti që doli i pari në zgjedhjet e 28 dhjetorit e që është në rrugë për mandatin e tretë, pret që në muajin shkurt të definohet raporti “qeveri-opozitë”, ku shton se ka gatishmëri dhe interes nga ana e tij.

Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita”, shtoi Kurti.

Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të së mërkurës, përmes së cilit u definua se propozimi për nënkryetarin e komunitetit serb i takon shumicës parlamentare të atij komuniteti, kryeministri në detyrë tha se duhet të pritet aktgjykimi i plotë. Çështja e nënkryetarit serbë që duhet të vijë nga Lista Serbe pritet të jetë pengesa e parë në konstituimin e Kuvendit, nëse Lëvizja Vetëvendosje si në të kaluarën refuzon të votojë pro.

I pyetur se si do veprojë Lëvizja Vetëvendosje në raport me kandidatët për deputetë nga radhët e saj për të cilët u evidentua manipulim i votës, Kurti tha se me ta do të merret komisioni disiplinor i partisë, por që aktualisht nuk specifikoi se do të merret ndonjë masë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB