46-vjeçari nga Labova e Gjirokastrës, Dhimitër Meci, është plagosur rëndë ditën e sotme në burgun e Malandrinos në Greqi.

Gazetari Artur Bibe raporton se Meci është qëlluar me një thikë të improvizuar, nga i burgosuri grek N. E, i akuzuar për organizatë kriminale, i cili punonte në mensën e burgut.

Ngjarja ka ndodhur pikërisht sot, kur Meci u transferua nga burgu i Koridhalos në Malandrino. Që prej arrestimit të tij në fillim të dhjetorit 2025, Meci mbahej në repartin psikiatrik të burgut të Koridhalos.

Dhimitër Meci alias Dhimo Meci, u arrestua nga policia greke së bashku me Andrea Brokerin nga Himara, Fatjon Prendin nga Lezha si dhe disa grekë, në një operacion ku u shpall në kërkim edhe Vasil Theohari nga Finiqi.

Ata akuzohen për tentativën e vrasjes së mafiozit grek Jani Lala në maj 2025. Lala në fakt u ekzekutua disa muaj më vonë nga një grup tjetër kriminal. Pas arrestimit të tij, gjatë kontrolleve në banesat e Mecit në Greqi dhe në banesën e tij në Shqipëri, u gjet arsenal armësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB