Spiropali mirëpret Komisionin e Punëve të Jashtme të PE: 2026, vit kyç për jetësimin e planit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE Mospasja ende të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, bëri që të shtyhet mbledhjen e dytë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i cili duhet ti japë një përgjigje kërkesës së SPAK, që ka kërkuar autorizim për arrestimi e zëvendës kryeministres Belinda Balluku.
Përmes një njoftimi zyrtar kuvendi njoftoi se “ duke marrë në konsideratë se në mbledhjen e parë të Këshillit, të zhvilluar më datë 19.12.2025, deputetë anëtarë të këtij këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi jep këtë shpjegim se përse nuk duhet të mbahet mesditën e kësaj të marte mbledhja e këshillit.
Në njoftim thuhet se “Një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit”.
Për këtë vendim reagoi Gazment Bardhi anëtari demokrat në këtë këshill.
“Zvarritja e çështjes Balluku, si në Parlament ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, nuk është rastësi, por një operacion i koordinuar politik për të bllokuar SPAK-un dhe për të mbrojtur korrupsionin në majë të pushtetit.
Mazhoranca socialiste dhe Edi Rama kanë zgjedhur zvarritjen si mekanizëm mbrojtës për Belinda Ballukun. Të njëjtën strategji ka ndjekur edhe Gjykata Kushtetuese, e cila dje shtyu pa afat vendimmarrjen për të pandehurën Belinda Balluku.
Sot, Kuvendi i Shqipërisë ka vijuar të njëjtën linjë: është shtyrë, pa asnjë arsye të ligjshme, mbledhja e Këshillit të Mandateve, me justifikimin se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse masa e re e sigurisë që kërkon SPAK ndaj Ballukut nuk ka asnjë lidhje me çështjen e pezullimit nga detyra.
Si shtyrja nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe shtyrja nga Kuvendi janë hallka të të njëjtit zinxhir mbrojtës, i komanduar politikisht nga Edi Rama.
Për shkak se ka marrë një vendim pezullimi të vendimit të GJKKO-së, Gjykata Kushtetuese ka detyrimin ligjor të shqyrtojë këtë çështje me përparësi dhe të konkludojë me një vendimmarrje që zhbllokon veprimtarinë hetimore të SPAK.
Çdo vonesë është shërbim i drejtpërdrejtë për Edi Ramën, për të blerë kohë kundër drejtësisë, dhe për të pandehurën Balluku, për prishje provash, intimidim dëshmitarësh dhe vijim të aferave korruptive me vlerë miliona euro”-thuhet në reagim.
Në të tilla kushte vijueshmëria e këtij procesi në këshillin për rregulloren mandatet dhe imunitetin tanimë varet tërësisht nga dhënia e vendimit të gjykatës kushtetuese e cila duhet ti japë përgjigje kërkesës së kryeministrit Edi Rama nëse vendimi GJKKKO-s, për pezullimin nga detyrat të Belinda Ballukut është cenim i kompetencave të kryeministrit.
Top Channel