Rriten tensionet me Iranin, Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë stërvitje ushtarake në Lindjen e Mesme

28/01/2026 09:22

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë stërvitje ushtarake ajrore disa ditore në Lindjen e Mesme, në një kohë kur tensionet me Iranin po përshkallëzohen.

Forcat amerikane konfirmuan se stërvitjet synojnë testimin e aftësisë për shpërndarje, operim dhe goditje luftarake në kushte të vështira, në bashkëpunim me partnerët rajonalë.

Njoftimi vjen pas paralajmërimeve të forta nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili deklaroi se një “armadë” amerikane po lëviz drejt Iranit, duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve ushtarake.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, grupi luftarak i aeroplanmbajtëses ‘USS Abraham Lincoln’ ka mbërritur tashmë në rajon, duke forcuar ndjeshëm praninë amerikane.

Megjithatë, zyrtarë amerikanë thanë se nuk është marrë ende asnjë vendim për ndërhyrje ushtarake, ndërsa Shtëpia e Bardhë po shqyrton opsionet e mundshme.

Tensionet janë rritur pas shtypjes së përgjakshme të protestave antiqeveritare në Iran, ku sipas organizatave të të drejtave të njeriut, mijëra protestues janë vrarë. Teherani ka pranuar se ka pasur viktima masive.

Ndërkohë, Irani ka reaguar ashpër, duke paralajmëruar se çdo sulm do të përballet me kundërpërgjigje të fortë ushtarake, që mund të destabilizojë të gjithë rajonin.

Zyrtarë iranianë thanë se mbërritja e anijeve luftarake amerikane nuk ndikon në aftësinë mbrojtëse të vendit, ndërsa forcat e armatosura janë në gatishmëri të plotë.

Në Teheran, posterë propagandistikë me mesazhe kërcënuese kundër SHBA-së janë shfaqur në sheshet kryesore të kryeqytetit.

Pavarësisht retorikës së ashpër, Uashingtoni ka bërë të ditur se mbetet i hapur për dialog, nëse Irani pranon kushtet për negociata.

Ndërkohë, disa aleatë të SHBA-së në rajon, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë deklaruar se nuk do të lejojnë përdorimin e hapësirës së tyre ajrore për sulme kundër Iranit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB