“Vetëm muzika më bën të lumtur”/ Homazh për kompozitorin Nikolla Zoraqi që nuk pushoi kurrë së krijuari

27/01/2026 19:55

“Vetëm muzika më bën të lumtur”, shprehej Nikolla Zoraqi, kompozitori që krijoi vepra madhështore në shekullin XX në vendin tonë.

Për të nxjerrë në pah kontributin e veçantë të Zoraqit në zhvillimin e muzikës së re shqiptare, regjisori Mevlan Shanaj solli për publikun dokumentarin “Nikolla i zemrës së Tiranës”, me skenar nga Natasha Lako.

“Është kompozitor në nivel botëror dhe këtë jo të gjithë e dinë. Kompozitor jo vetëm i 100 veprave, i 8 veprave skenike, por mori folkun e Shqipërisë dhe e çoi në muzikë elitare”, u shpreh regjisori mevlan Shanaj.

Në realizimin e këtij dokumentari, Shanaj bashkëpunoi me kompozitorin Zhani Ciko, që si koleg ka njohur nga afër talentin e tij të rrallë për t’i dhënë jetë pjesëve dramatike për solo, kor e orkestër, baladave, operetave për fëmijë, uvertura dhe koncerteve.

“Kam filluar si violinist, Nikolla Zoraqi kur kënaqej nga unë, më jepte një vepër tijën. Poema për violin, tre koncerte që unë i kam luajtur deri në ditët e fundit që kam luajtur violinë, kanë qenë dashuria ime e parë”, tha kompozitori Zhani Ciko.

Nga kënga “Dhuratë për ditëlindje”, baleti “Cuca e maleve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “uvertura festive”, Zoraqi preku të gjitha zhanret e muzikës.

“Me një patos dhe temperament të lartë, mbi të gjitha nuk ka ndenjur asnjë ditë pa krijuar. Aq shumë shkruante sa kur një vepër iu kritikua nga sistemi atëherë, tha ‘unë e marr e fus në sirtar dhe bëj një tjetër nga e para”, u shpreh Ciko.

Për Zhani Cikon, miku i tij u nda nga jeta në kulmin e krijimtarisë, por la një trashëgimi të pasur për muzikën shqiptare .

“Kështu është jeta, Nikolla do të kishte dhënë shumë, kishte shpirt moderniteti. Donte që rinia që dëgjonte dhe të shikonte këngën shqiptare pa pasur nevojë të ndërrojë kanalin”, tha Ciko.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB