Zyrtari i lartë i anti-emigracionit pranë largimit nga Minneapolis pas vdekjes së Alex Prettit, punën në terren do ta udhëheqë shefi i kufirit dhe doganave
Të enjten, më 8 janar, në një qytet iranian me përmasa mesatare, telefoni i Dr. Ahmadit* filloi të binte pa pushim. Koleget e tij në repartet lokale të urgjencës po shqetësoheshin.
Gjatë gjithë javës, njerëzit kishin dalë në rrugë dhe ishin përballur me policinë, e cila përdorte shkopinj gome dhe armë me plumba gome. Me trajtim mjekësor, plagët e tyre nuk duhej të ishin shumë serioze. Por stafi i urgjencës besonte se shumë të rinj të plagosur po i shmangeshin spitaleve, të tmerruar se regjistrimi si pacientë traumatike do të çonte në identifikimin dhe arrestimin e tyre.
Në heshtje, Ahmadi [i cili mbetet anonim nga frika e hakmarrjes, por identiteti, kredencialet dhe prania e tij në Iran gjatë trazirave janë verifikuar nga Guardian] dhe bashkëshortja e tij nisën të trajtonin pacientë në një vend jashtë sistemit spitalor shtetëror të Iranit. Të njoftuar nga një rrjet lokal, të rinjtë e plagosur filluan të vinin tek ata. Kryesisht sillnin plagë sipërfaqësore – prerje që kishin nevojë për qepje dhe antibiotikë. Me kalimin e mbrëmjes së së enjtes, gjithnjë e më shumë njerëz vinin për t’u mjekuar.
Ditën tjetër, gjithçka ndryshoi papritur. Protestuesit vazhdonin të vinin, por plagët e tyre ishin plagë me armë zjarri nga distancë e afërt dhe plagë të rënda me thikë, zakonisht në kraharor, sy dhe organe gjenitale. Shumë prej tyre rezultuan fatale.
Ahmadi u trondit nga numri i madh i të vrarëve – më shumë se 40 vetëm në qytetin e tij të vogël – por me internetin e ndërprerë, askush nuk e dinte se cila ishte tabloja në nivel kombëtar. Për ta kuptuar më mirë situatën, Ahmadi krijoi një rrjet prej më shumë se 80 profesionistësh mjekësorë në 12 nga 31 provincat e Iranit për të ndarë vëzhgime dhe të dhëna dhe për të ndërtuar një pamje më të qartë të dhunës.
Vëzhgimet e tyre, të ndara me Guardian dhe të kombinuara me dëshmi nga morgje dhe varreza në mbarë vendin, fillojnë të zbulojnë përmasat e jashtëzakonshme të dhunës së ushtruar ndaj iranianëve gjatë shtypjes shtetërore. Ahmadi dhe kolegët e tij hezitojnë të japin një shifër të saktë të viktimave, por bien dakord se “të gjitha shifrat e publikuara zyrtarisht përfaqësojnë një nënvlerësim të madh”. Duke krahasuar numrin e të vdekurve që panë vetë me mesataret spitalore, ata vlerësojnë se shifra mund të kalojë 30 mijë, shumë më tepër se të dhënat zyrtare. Kjo bazohet në përfundimin se “vdekjet e regjistruara zyrtarisht të lidhura me shtypjen përfaqësojnë me gjasë më pak se 10% të numrit real të viktimave”.
Vlerësimet për numrin e të vrarëve ndryshojnë ndjeshëm, të penguara nga ndërprerja e vazhdueshme e internetit. Qeveria iraniane ka pranuar më shumë se 3 mijë të vdekur, ndërsa organizata me seli në SHBA HRANA (Human Rights Activists News Agency), shifrat e së cilës kanë qenë të besueshme gjatë shtypjeve të mëparshme, thotë se ka verifikuar më shumë se 6 mijë të vdekur dhe ka edhe mbi 17 mijë vdekje të tjera të regjistruara nën hetim, duke dhënë një total të mundshëm prej rreth 22 mijë. Vlerësime të tjera nga mjekë jashtë Iranit shkojnë deri në 33 mijë ose më shumë.
Dëshmitë nga morgjet, varrezat dhe spitalet në mbarë vendin tregojnë për përpjekje të koordinuara të autoriteteve për të fshehur përmasat reale të viktimave: trupa që transportoheshin me furgonë akulloresh dhe kamionë mishi; grumbuj të vdekurish të varrosur me nxitim; dhe qindra trupa që duket se janë zhdukur nga rrjeti i institucioneve mjeko-ligjore të Iranit.
Gjuha që përdor Ahmadi është e matur dhe klinike, por ai shpërthen në lot kur përshkruan dhunën e dokumentuar nga mjekët. “Nga këndvështrimi mjekësor, plagët që pamë tregojnë një brutalitet pa kufij – si në përmasa, ashtu edhe në metoda,” thotë ai. Një tjetër mjek, me bazë në Teheran, i thotë Guardian: “Jam në prag të një kolapsi psikologjik. Ata kanë kryer vrasje masive. Askush nuk mund ta imagjinojë… pashë vetëm gjak, gjak dhe gjak.”
Rrjeti i Ahmadit gjeti të paktën shtatë kolegë të tjerë nga institucione mjeko-ligjore në katër provinca të mëdha, të cilët raportuan përvoja të ngjashme. Video të verifikuara nga morgu i Kahrizakut në Teheran tregojnë skena të ngjashme, përfshirë atë që duket si qindra trupa të shtrirë në rrugë jashtë objektit.
Guardian foli gjithashtu me tre dëshmitarë që, në mënyrë të pavarur, përshkruan presion për varrime masive dhe grumbuj me qindra trupa në një varrezë të madhe (Behesht-e Sakineh) në qytetin e Karajit, 30 milje (50 km) në perëndim të Teheranit.
Në mbarë Iranin, në morgje dhe varreza, trupat u grumbulluan – duke mbingarkuar shumë spitale dhe institucione mjeko-ligjore, të cilat u detyruan të kthenin mbrapsht kamionë të mbushur me kufoma. Punonjësit e varrezave dhe të mjekësisë ligjore përshkruajnë kaos, me raporte se autoritetet po shtynin për varrime të shpejta masive për të fshehur numrin e të vdekurve.
Në një morg, stafi thotë se u përball me disa kamionë të mbushur me trupa, shumë më tepër sesa kapaciteti i ftohjes dhe ruajtjes së objektit. Kur punonjësit protestuan se nuk mund ta përballonin këtë volum kufomash, dy kamionë me të vdekur u dërguan diku tjetër – por kur punonjësit e morgut u përpoqën të zbulonin se ku ishin çuar trupat, zbuluan se asnjë nga institucionet e mëdha mjeko-ligjore të rajonit nuk i kishte pranuar ato. Mjekët “shprehën dyshime se kjo lidhej me dafn-e dast-e jam’i [varrim masiv]”.
Në një dëshmi me shkrim të ndarë me Guardian, Reza*, një dëshmitar që thotë se ishte i pranishëm në Behesht-e Sakineh, shkruan: “Më 10 dhe 11 janar, ata sollën qindra trupa që thuhej se ishin të paidentifikuar dhe pa pretendues.” Shumë nga të vdekurit, thotë ai, u transportuan me kamionçina të vogla që zakonisht përdoren për fruta dhe perime, dhe jo të gjithë ishin të vendosur në qese mortore.
“Këto mjete bëjnë dhjetëra udhëtime vajtje-ardhje nga objektet e magazinimit… kam parë trupa në këta kamionë aq të ngjeshur sa duhej forcë për t’i ndarë. Gjaku ishte ende i freskët dhe i tharë kur i grumbullonin në pirgje.”
Top Channel