“Kurrë më”/ 27 janari, dita e Përkujtimit të Holokaustit: Kujtojmë për të mos përsëritur

27/01/2026 08:08

27 janari shënon Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, një ditë e vendosur për të kujtuar viktimat e nazizmit, për të reflektuar mbi rrezikun e urrejtjes, intolerancës dhe paragjykimit dhe për t’i mos harruar tmerre të tilla, në mënyrë që ato të mos përsëriten më kurrë.

Në Gjermani kjo ditë u vendos në vitin 1996, ndërsa në Izrael përkujtimi kryesor i Holokaustit, i njohur si Yom HaShoa, bie zakonisht në muajin prill. 27 janari në vetvete lidhet me çlirimin e kampit nazist të Auzhvic-Birkenau nga Ushtria e Kuqe më 1945. Kampi ku u vranë rreth 1,1 milion njerëz, shumica hebrenj, kishte shërbyer si vend masiv internimi dhe shfarosjeje. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, më shumë se gjashtë milion hebrenj dhe qindra mijëra anëtarë të pakicave të tjera, përfshirë romët, sintët, njerëzit me aftësi të kufizuara, kundërshtarët politikë, homoseksualët dhe dëshmitarët e Jehovait, humbën jetën nën terrorin nazist.

Më nëntor 2005, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 27 janarin Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit dhe të viktimave të nacionalsocializmit. Rezoluta 60/7 nënvizon rëndësinë e kujtimit të Holokaustit si paralajmërim për rreziqet e urrejtjes, racizmit dhe intolerancës dhe refuzon çdo formë mohimi të kësaj tragjedie. Ajo gjithashtu nxit zhvillimin e programeve arsimore dhe përkujtuese, me qëllim parandalimin e gjenocideve të ardhshme.

Sekretari i atëhershëm i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan, në ditën e parë ndërkombëtare të përkujtimit më 27 janar 2006, theksoi se: “Tragjedia e pashoqe e Holokaustit nuk mund të zhbëhet. Kujtimi i tij duhet të mbahet i gjallë me turp dhe tmerr, për aq kohë sa zgjat kujtesa njerëzore”. Në Izrael, Yom HaShoa përkujtohet me dy minuta heshtje në të gjithë vendin, ndriçim të gjashtë pishtarëve që simbolizojnë gjashtë milionë viktimat hebreje dhe marshime përkujtimore, përfshirë “March of the Living”, nga Auzhvici drejt Auzhvic-Birkenau.

Në Gjermani, Bundestagu mban çdo vit një seancë përkujtimore, ku të mbijetuarit e Holokaustit dhe politikanë nga vende të ndryshme ndajnë përvojat e tyre dhe përcjellin mesazhin universal: “Kurrë më!”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB