Mesditën e së hënës kompanitë transportuese serbe nisën protestën e tyre në pikat kufitare, duke bllokuar qarkullimin e mallrave.

Kamionët u vendosën në korsinë përkatëse në pikën kufitare të Merdares në shenjë kundërshtimi të sistemit të ri të Bashkimit Evropian për kontrollin e hyrje-daljeve. Kompanitë e transportuesve thonë që rrezikojnë të mbesin pa shoferë si pasojë e këtij vendimi.

“Jemi mbledhur në Mërdare, dhe jo vetëm këtu, por në të gjitha vendkalimet në Serbi. Arsyeja e bllokadës është zona Shengen ose 90 ditët brenda 180 ditëve, qe është luftë për punëdhënësit dhe shoferët. Shoferët kanë probleme në kufi, ku i ndjekin, largojnë e i arrestojnë. i trajtojnë si emigrantë që punojnë ilegalisht edhe pse këta punojnë me nder.

Shihni sa kamionë hyjnë në Kosovë, duhej të ishim nisur, por jemi të detyruar të bllokojmë lëvizjen. Ne pas 3-4 muajve mbetemi pa shoferë”, u shpreh pronar i kompanisë Daka Doljeva, Lubisha Najdanoviç.

Protesta e transportuesve mund të zgjasë deri në shtatë ditë, derisa transportuesit kërkojnë takim me përfaqësues të BE-së.

“Jemi kufizuar për shtatë ditë. Na kanë thënë që afati është shtatë ditë, por nëse Komisioni i Bashkimit Evropian na jep garancinë ose na thërrasin në diskutim, ne e ndërpremë grevën dhe mund të bisedojmë’, tha ai.

Në pikat kufitare janë të bllokuar korsitë vetëm për kalimin e mallrave, ndërkohë që qarkullimi i veturave kryhet lehtësisht.

Përpos pikave kufitare me Serbisë, në mesditë u bllokuan edhe pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, pasi transportuesit e vendeve përkatëse nisën protestën e tyre.

Ndonëse Kosova nuk merr pjesë në protestën e transportuesve rajonalë, pritet të ndikohet nga bllokimi i qarkullimit të mallrave, që e vështirëson importin dhe eksportin. “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka pritur me shqetësim të madh, protestat që po mbahen në shtetet fqinje nga kompanitë transportuese.

Këto protesta kanë shkaktuar probleme për kompanitë tona, pasi shumë prej tyre nuk po mund as të eksportojnë dhe as të importojnë mallra nga Evropa”, thonë nga kjo shoqatë, derisa bëjnë thirrje për angazhim të institucioneve për të gjetur zgjidhje. Kosova importon në vit mallra në vlerë rreth 7 miliardë euro, rreth 20 milionë prej tyre nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Aktualisht, qarkullimi i mallrave për Kosovë dhe jashtë saj mund të bëhet vetëm nëpër pikat kufitare me Shqipërinë, vend që nuk iu është bashkuar protestës. Transportuesit e Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës nisën protestën kundër rregullit “90/180 ditë” që parasheh që transportuesit nga vendet jashtë Schengenit mund të qëndrojnë në këtë zonë maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB