Përmbytjet shkatërrojnë rrugën/ Aksi Korçë-Pustec-Zaroshkë e amortizuar, banorët e turistët përballen me vështirësi

26/01/2026 12:17

Përmbytjet e fundit kanë zbuluar edhe një herë një problem të vjetër infrastrukture në juglindje të vendit.

Rruga Korçë–Pustec–Zaroshkë, një segment i rëndësishëm për zhvillimin turistik, është dëmtuar rëndë, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe duke izoluar pjesërisht zonën. Pas gati tre dekadash pa investime, amortizimi i theksuar po godet drejtpërdrejt banorët dhe bizneset turistike, ndërsa mungesa e fondeve e lë situatën pa zgjidhje të shpejtë.

Mungesa e investimeve dhe përmbytjet e fundit kanë nxjerrë në pah gjendjen e rënduar të rrugës Korçë–Pustec–Zaroshkë, një segment kyç për zhvillimin turistik të zonës. Përmbytjet e nëntorit të vitit të kaluar e më tej edhe ato të janarit kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në rrugën që lidh aksin nacional Korçë–Pustec me fshatin turistik të Zaroshkës, pjesë e programit “100 fshatrat”. Në disa segmente, kryesisht në afërsi të fshatit Lajthizë, rruga ka pësuar dëmtime serioze, duke e bërë qarkullimin veçanërisht të vështirë për mjetet e vogla. Segmenti rrugor është vetëm 5.5 km i gjatë dhe pjesa hyrëse e tij është nyje lidhëse me qendën e bashkisë por edhe fshatin e Zaroshkës.  Pavarësisht kësaj në këtë rrugë prej gati 30 vitesh nuk ka pasur investime, çka ka sjellë një amortizim të theksuar  duke vështirësuar përditshmërinë e banorëve dhe aksesin e vizitorëve.

Rruga është e vështirë.   Për mua nuk ishte problem pasi kam automjet të përshtatshëm por për mjetet e vogla është problem.  Isha në Pogradec dhe tani erdha këtu.

Zaroshka është zona ku janë të përqendruar shumica e bizneseve turistike që operojnë në këtë territor, ndërsa dëmtimi i infrastrukturës rrugore po ndikon drejtpërdrejt në aksesin e vizitorëve dhe aktivitetin ekonomik të zonës. Bashkia është e pafuqishme për të realizuar një investim të tillë, për shkak të mungesës së fondeve.

Aktualisht, e vetmja rrugë alternative për të arritur në Zaroshkë mbetet ajo përmes Maqedonisë së Veriut, duke e bërë situatën edhe më problematike për banorët dhe operatorët turistikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB