Fiks Fare bën me shtëpi banorët e pallatit 7-katësh që “nuk ekzistonte” në Fier, pajisen me certifikata pas 30 vitesh

26/01/2026 20:50

Fiks Fare ka zgjidhur një problematikë 30 vjeçare me një pallat 7-katësh, i cili u ndërtua pas viteve ’90, por me letra as nuk ekzistonte.

Pas një kalvari të gjatë sorollatjesh e aplikimesh, më në fund, 18 familjet që jetojnë në rrugën Andon Doro në qytetin e Fierit, kanë marrë dokumentet hipotekorë të apartamenteve.

Në datën 22 maj 2025, emisioni investigativ transmetoi ankesat e banorëve që dëshmuan se kanë blerë apartamentet me kontrata të rregullta noteriale, kishin paguar shumën te pronari ndërtues, por pas 30 vitesh s’kishin marrë  certifikatat. “Shkojmë në Kadastër dhe na thonë që s’ka pallat. Ne ku banojmë, në ajër”, tha një banor.

Të tjerë shtuan se kishin bërë dokumente për ta legalizuar dhe certifikuar, por deri më sot sorollatje. “Ne kemi dokumentet të gjitha, që nga noteri e deri te leja. Si e bëri ai ndërtuesi atëherë? Në kontrata janë edhe lejet që ka marrë ndërtuesi. Këta thonë s’ka letra. Na kanë çuar te noter të tjerë, kemi bërë pagesa dhe asnjë veprim”, pohojnë banorët. Madje ata thanë njëzëri se kur ky pallat nuk ekziston, si u faturojnë ujin, dritat apo taksat e tjera.

Bashkë me një përfaqësues të banorëve, Iljaz Rizvani, grupi i Fiks Fare shkoi në maj 2025 te Kadastra e Fierit. Kjo zyrë tha në atë kohë se pronat e subjekteve në fjalë nuk janë regjistruar ndër vite për shkak se ndërtuesi nuk ka regjistruar lejen e ndërtimit. Pas interesimit të redaksisë sonë, filloi një verifikim i plotë i të gjithë situatës juridike të pallatit. Madje një grup shkuan në terren dhe saktësuan çdo pasuri të banorëve.

Disa muaj pas transmetimit të kësaj problematike, Fiksi shkoi sërish në atë pallat, tashmë me një lajm të mirë. Më në fund, pas më shumë se 30 vitesh, banorët kanë në duar certifikatat. Disa tregojnë se gjatë këtyre muajve kanë bërë kërkesa në Kadastër, te inxhinierët për të parë forcimin e strukturës, apo edhe te noterët. “Pas një kalvari të gjatë, tani na i dhanë certifikatat. U kujtuan që ky pallat ekzistoka. Aty ka qenë gjithmonë, po tani e panë”, tregojnë banorët.

Ata falënderojnë emisionin “Fiks Fare” që vuri në lëvizje institucionet shtetërore. “Falë jush, u vunë në lëvizje dhe ne tani kemi në dorë dokumentet”, thotë një tjetër.  Por, jo të gjithë e kanë marrë certifikatën. Një familje s’e ka marrë në dorë, për shkak të nja gabimi njerëzor nga punonjësit e Kadastrës. Dokumentet e kësaj familje i janë dërguar një tjetër banori. “Na thanë se do e rregullojnë dhe do i marrim. Kemi shpresë. Ne ju falënderojmë ju të Fiks Fare se ne as nuk ekzistonim”, thotë kryefamiljari.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB