Emigracioni “mbrapsht”, bullgarët e kualifikuar ikin nga Gjermania: Më mirë në atdhe

26/01/2026 16:13

Një numër në rritje i punëtorëve të kualifikuar bullgarë po largohen nga Gjermania dhe po kthehen në vendin e lindjes, duke vazhduar të punojnë për punëdhënësit e tyre gjermanë nga distanca.

Ky trend kombinon afërsinë me familjen dhe fitime neto më të larta, për shkak të taksave më të ulëta dhe shpenzimeve më të vogla jetese në Bullgari. Një prej tyre, Kristina Borisova, 41-vjeçare, u kthye në Pomorie pas tetë vitesh në Gjermani dhe vazhdon të punojë si asistente administrative për një kompani energjitike në Gera, duke marrë pagën e saj gjermane.

Falë jetesës me prindërit dhe taksave më të ulëta, ajo përfiton rreth 700 euro më shumë neto në muaj, mbi mesataren bullgare prej 1,300 eurosh. Një rrugë të ngjashme ka zgjedhur edhe specialist i IT-së, Radimir Bitsov, i cili kthye në Sofje, duke vazhduar të punojë për kompaninë e tij gjermane.

Ai i tha DW se përfiton rreth 20% më shumë të ardhura neto duke jetuar në Bullgari, dhe vendimi i tij lidhet kryesisht me dëshirën për t’u afruar me familjen. Të dhënat zyrtare tregojnë një ndryshim të lehtë të trendit të emigracionit: për herë të parë në vitin 2024, më shumë bullgarë u larguan nga Gjermania sesa emigruan atje, duke shënuar një bilanc negativ prej 11,000 personash.

Ndërkohë, mbi 18,000 bullgarë u kthyen në vend gjatë së njëjtës periudhë. Megjithatë, rikthimi ka edhe sfidat e veta. Çmimet në Bullgari janë rritur, veçanërisht në Sofje, dhe cilësia e shërbimeve publike dhe e kujdesit mjekësor nuk është në nivelin gjerman.

Kjo bën që disa të kthehen në Gjermani në të ardhmen, sidomos nëse situata politike apo ekonomike në Bullgari përkeqësohet, siç ndodhi pas protestave të dhjetorit 2025.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB